E FUNDIT/ Ilir Toska zgjidhet anëtar i tetë i Gjykatës Kushtetuese…

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se është bërë me 8 anëtarë, nga 9 që duhet të ketë në total në përbërje.

Ilir Toska është zgjedhur anëtari i tetë i gjykatës kushtetuese nga radhët e Gjykatës së Lartë.

Bazuar në nenin 125, pika 1 të Kushtetutës, nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, te ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, sot në datë 12 shtator 2022, ora 10.00, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi procedurën e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në listën e dërguar për këtë qëllim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Në përfundim të procesit të votimit, komisioni renditi të parin z. Ilir Toska me 13 (trembëdhjetë) vota. Në këto kushte, z. Ilir Toska zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe i dërgohet për botim Qendrës së Publikimeve Zyrtare.

Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj (neni 125 i Kushtetutës).