E fundit me kufizime, si do të jetë lëvizja gjatë kësaj fundjave…

Që këtë fundjavë hiqen kufizimet e lëvizjes dhe aktiviteteve të biznesit në çdo zonë, por megjithatë nuk do të lejohet dalja nga perimetri i zonave të kuqe deri me 1 Qershor. Kështu deklaroi, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Në fundjavë do të hiqen kufizimet e orareve për qytetarët dhe bizneset, por edhe këtë fundjavë nuk do të lejohet lëvizja e rezidentëve nga zonat e kuqe në zonat e gjelbërta deri të hënën kur këto kufizime do të hiqen.”, u shpreh ajo.

Sakaq, Ministrja njoftoi se nga 1 Qershori do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin dhe do të hapen çerdhet e kopshtet, plazhet, një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin e detyruar dy javor dhe duke e vendosur atë vetëm për raste specifike.

Manastirliu u shpreh se mbeten ende të mbyllura transporti publik, për të cilin po hartohet një protokoll i veçantë, ndërsa deri më datë 23 Qershor do të mbeten të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatret, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferencat dhe dëgjesat publike.