“E kan hedh në det”/ Transkriptet që flasin për fatin e Ervis Martinajt…

Policia dyshon se Ervis Martinaj kishte shkuar në Shijak për të lidhur aleancë me një grup të fuqishëm të zonës.

Disa burime informacioni të ndryshme mbështesin pistën se aty mund të jetë shitur te grupet rivale.

Këto dyshime mbështeten edhe në transkriptet e bisedave mes personazheve të botës së krimit që disponohen nga autoritetet ligjzbatuese:

“Mos ti kishte thënë për V. Do ishte gjallë akoma. Hajde i kishin thënë e kam gati. Ky peshku kishte vajt. Dhe e kishin marrë peng. E kan hedh në det. Ca peshku. Atë e kanë humb atë natë”.

Por, pavarësisht bisedave të shkëputura që janë administruar, duhet theksuar se nuk është bërë verifikimi i tyre me prova mbështetëse. Informacionet në fjalë janë marrë me rezerva nga grupi hetimor.

Ajo që bën përshtypje janë edhe qëndrimet e kundërshtarëve të Martinajt pas informacioneve për zhdukjen e tij që dalin në transkriptime:

“Ka festuar se i kanë nis fotot”.

Një personazh me precedentë penalë është arrestuar në kuadër të një procedimi që nuk ka lidhje me çështjen “Martinaj”. Atij, i është sekuestruar një telefon celular që punon pa kartë SIM. Celulari funksiononte përmes programeve të sofistikuara me biseda të vetaszgjesueshme që përdoren shpesh nga grupet kriminale dhe trafikantët.

Mes mesazheve të siguruara nga këto transkripte të cilat nuk mund të bëhen publike të plota për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, janë gjetur disa biseda interesante lidhur me çështjen në fjalë.

Emrat e personazheve që përmenden, do ti përmendim me iniciale pasi përbëjnë sekret hetimor.

“Po humbin njerëzit si miza. E pe çfarë i bën Laçit? I kishte kërkuar A. ti mbaronte G.”

“Janë bërë bashkë të gjithë. Tani këtë herë e kanë bërë për V…”, thuhet në një tjetër transkript.

Duhet theksuar se grupi hetimor ka në dorë biseda të shumta të ngjashme që po verifikohen.

Hetuesit kanë dyshime se komunikime të tilla mund të jenë edhe të fabrikuara për të bërë sa më të besueshme pistën e një rrëmbimi të mundshëm./TopChannel/

/TCH/