EMRAT/ Zbardhet dhuna ndaj kuzhinierit Çela, të dyshuarit që i prenë rrugën dy vëllezër…

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ku u dhunua fizikisht, me sende të forta kuzhinieri 39-vjeçar Indrit Çela, ku autorët e dyshuar janë dy vëllezër nga fshati Derven

Kuzhinieri i dhunuar ka deklaruar se nuk i kishte njohur autorët, si pasojë e errësirës, por si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, paraditen e sotme, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes.

Vëllezërit Ernest Luka dhe Donald Luka, banues në fshatin Derven, rreth orës 18:30 të së shtunës, në aksin rrugor Fushë Krujë-Rinas, në vendin e quajtur “Ura e Gjolës”, me automjetin e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit, me të cilin udhëtonte 39-vjeçari.

Ata e kanë goditur Çelën me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.

I dyshuari Ernest Luka, është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Derveni”, ndërsa vëllai i tij shtetasi Donald Luka, është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultat se mes shtetasve Indrit Çela, dhe vëllezërve Luka ka pasur konflikte të mëparshme.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Krujës, për veprën penale “Plagosje e rënde me dashje”, e kryer ne bashkëpunim.