EMRI/ Iu sekuestruan gati 530 MIJË EURO, pastruesja vodhi te shtëpia e ZYRTARES së Kryeministrisë…

Zbulohet pronësia e shtëpisë ku pastruesja Rozeta Dobi vodhi rreth 120 mijë euro, që u sekuestruan ditën e djeshme gjatë një aksioni të Policisë së Tiranës.

Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi u vunë në pranga pas denoncimeve nga disa prej pronarëve të apartamenteve ku ajo kishte punuar si sanitare, dhe kishte vjedhur shuma të mëdha parash.

Dje policia i sekuestroi 120 mijë euro, ndërsa sot gjatë kontrollit në banesën e sanitares u gjetën edhe 400 mijë euro të fshehura te tubi i aspirimit.

Sipas gazetares Klodiana Lala banesa ku është kryer vjedhja ndodhet në Rrugën e Kosovarëve, ndërsa mendohet se vjedhja e 120 mijë eurove dhe disa sendeve me vlerë ka ndodhur në datën 15 dhjetor, kur pronarja ndodhej në SHBA.

Banesa është marrë me qira nga Alda Klosi, drejtore kabineti në Kryeministri dhe ish-këshilltare në ministrinë e Rindërtimit.

Pastruesja ka mbi 5 denoncime për raste të mëparshme ku thuhet se ka vjedhur në banesat ku ka punuar më herët. Ndërsa është e paqartë se sa prej rreth 530 mijë eurove në total janë vjedhur në çdo banesë.

Në polici nënë e bir kanë pranuar se 80 mijë euro i kanë marrë në një banesë të vetme.