EMRI/ Kapet me 1 kg kokainë polici i RENEA-s në Tiranë…

Një efektiv i RENEA-s, Xhulio Liçi është arrestuar pasditen e stome në Tiranë me një kg kokainë. Gazetari i ABC, Aldo Kozarja raporton se bashkë me Liçin janë prangosur edhe dy persona të tjerë, të dyshuar bashkëpunëtorë të efektivit të RENEA-s.

ABC mëson gjithashtu se efektivi bashkë me dy shokët e tij, Ded Nimani nga Puka 63-vjeç dhe tjetri me mbiemrin Gaci janë kapur në aksin e vjetër Tiranë-Durrës në afërsi të Ndroqit.

Operacioni po zhvillohet nga Drejtoria e Policisë Tiranë, ndërsa efektivi dyshohet se kishte rolin e transportuesit.

Ndërhyrja e policisë për të arrestuar efektivin që shërbente si mburojë erdhi pas informacioneve që Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave kishte mbi lëvizjet dhe aktivitetin e jashtëligjshëm të Liçit duke e mbajtur në vëzhgim prej disa javësh.

Pjesëtarit të njësisë elitë në policinë e shtetit por edhe dy të tjerëve iu sekuestruan telefonat dhe sendet e tjera në makinë.

Pritet që edhe në banesat e të arrestuarve të realizohen kontrolle, ndërsa vijojnë hetimet për të zbërthyer grupin e trafikut të drogës.