Eurostat: Turizmi në Shqipëri e tejkaloi para pandeminë, rriten ndjeshëm netëqëndrimet…

Netëqëndrimet e turistëve në Shqipëri në njësitë akomoduese u rritën ndjeshëm në muajt e verës së vitit 2021, duke tejkaluar edhe nivelin e para pandemisë, ndryshe nga Europa, që pavarësisht rritjes, sërish nuk i arriti nivelet e para kriës.

Të dhënat janë bërë të ditura nga statistikat e Eurostat, që publikon shifrat e netëqëndrimeve për të gjitha shtetet e Europës.

Që nga qershori, netëqëndrimet e turistëve janë rritur ndjeshëm, për të kulmuar në gusht, me gati 313 mijë netë, që është një nivel rekord.

Kjo shifër është 37% më e lartë se gushti i vitit të kaluar dhe 28% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2019, kur vendi shënoi dhe vitin më të mirë turistik, përpara se të dëmtohej nga pandemia.

Lirimi i masave në krahasim me shtetet e tjera të Europës bëri që në Shqipëri të vinin shumë turistë nga Europa Lindore, apo dhe shtete të tjera. Në kahun e kundërt, shumë shqiptarë u detyruan që të kalonin pushimet brenda vendin në mënyrë që të shmangnin kërkesat e shumta që duheshin plotësuar për të udhëtuar jashtë.

Në total, për periudhën janar-shtator 2021, kur INSTAT raporton të dhënat, netëqëndrimet e turistëve arritën në 985 mijë netë, me një rritje prej 41% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s.

Edhe në raport me janar-shtator 2019, netëqëndrimet janë rritur me 20%, duke tejkaluar në këtë mënyrë nivelin e para pandemisë.

Europa rimëkëmbet

Sipas Eurostat, në vendet e Bashkimit Europian, në vitin 2021, turizmi ishte ndër sektorët që nisën të rimëkëmbeshin nga pandemia COVID-19, pas lehtësimit të disa kufizimeve.

Në vitin 2021, numri i netëve të kaluara në njësitë e akomodimit turistik të BE-së arriti në 1.8 miliardë, duke u rritur me 27% krahasuar me vitin 2020, por me 37% më pak krahasuar me 2019-ën.

Kur shikohet evolucioni gjatë viteve të pandemisë, numri i netëve të kaluara në njësitë akomoduese në 2021 krahasuar me 2020 u rrit në shumicën e shteteve anëtare të BE-së me të dhëna të disponueshme. Rritjet më të mëdha u regjistruan në Greqi, Spanjë dhe Kroaci, me zgjerim mbi 70%.

Nga ana tjetër, Letonia, Sllovakia dhe Austria ishin shtetet anëtare që panë ulje, duke raportuar rënie prej më pak se -18%. Kjo tregon shenja rimëkëmbjeje në sektorin e turizmit.

Burimi: Eurostat