Fitoi Bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahia mesazh falenderimi…

FALEMNDERS!

Në përfundim të kësaj gare plot emocione të forta, dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen time të thellë për çdo bashkëqytetarë që më besoj me votë drejtimin e Bashkisë Shkodër, në këtë vit mandat!

Ishte ai bashkim i jashtëzakonshëm zemrash misionare, që frymoi ditë pas dite shpresën për ndryshim, duke sjellë fitoren tonë të përbashkët për Shkodrën tonë.

Çdo votë mbështetëse të 6 Marsit e ndjej si përgjegjësi të fortë, si vullnet për të përmbushur shpresat e bashkëqytetarëve të mi, për ta bërë Shkodrën, vendin ku mund të jetohet mirë, me punë dhe dinjitet.

E këtë do ta bëjmë edhe me ata që nuk më votuan, sepse siç e kam thënë edhe gjatë fushatës, Shkodrën e kemi të gjithë bashkë. Është krenaria jonë!

Kjo fitore është shprehje e qartë e besimit për ndryshimin, që nisi nga Shkodra, e që do të vijojë edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë.

Është dëshmia më e pastër, se liria është një vlerë e panegociueshme dhe qëndresa ndaj të keqes mbetet një mision, që trashëgohet në Shkodër.

Nuk ishte një betejë e lehtë, përballë një regjimi që ka kapur çdo pushtet. Këtë e provoi direkt secili nga kandidatët e opozitës së vërtetë, “Shtëpisë së Lirisë”. Për më tepër, ishtë një garë që u zhvillua në kushte të pazakonta, e aspak të dëshirueshme për Partinë Demokratike, me rrugëtimin e të cilës jam rritur e formuar. Por motivimi ishte i lartë, njëlloj si fryma e krijuar nga lëvizja e Rithemelimit të Partisë Demokratike dhe koalicioni që e përfaqësoi në këto zgjedhje, “Shtëpia e Lirisë”. Mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin për këtë fitore!

Kjo fitore na tregoi se ne jemi shumica e në rrugën e duhur! Bashkimi i njerëzve të lirë gjeneron frymë dhe është garanci për fitore. Shkodra e dha këtë leksion demokracie, prandaj dera është e hapur për rikthimin e të gjithë atyre, që e gjejnë ende veten tek vlerat e lirisë, zgjedhjes e meritës, por edhe të kujtdo tjetër, që dëshiron të na bashkohet në këto parime.

Një falenderim i posaçëm i shkon ekipit tim të fushatës, të rinjtë me energji shpërthyese, që nuk janë dorëzuar asnjëherë krah meje, në betejat shumëvjeçare për Partinë Demokratike, e që punuan fort për fitoren e 6 Marsit! Jeni më të mirët!

Familjes sime, bashkëshortes, fëmijëve, nënës, vëllezërve e motrave, u jam mirënjohës e u mbetem borxhli si gjithmonë, prej ditës së parë kur kam hyrë në politikë. Jam me shumë fat që ju kam!

Tani është koha e punës, në interes të Shkodrës e banorëve të saj!