Gara për pozicionin e drejtorit të teatrit “Migjeni”, kush janë pesë kandidatët që konkurrojnë…

Teatri “Migjeni” është në kërkim të drejtorit të vet, pasi drejtorja e 7 viteve të fundit, Mjeshtre e Madhe Rita Gjeka, është larguar pas mbushjes së moshës së pensionit.

Për këtë pozicion, Bashkia e Shkodrës ka hapur konkurs, përmes të cilit do të zgjidhet drejtori i institucionit më të rëndësishëm kulturor në Veriun e Shqipërisë.

ShkodraWeb ka mësuar emrat që janë bërë pjesë e garës. I pari është regjisori i njohur Arian Çuliqi. Ai ka firmosur si regjisor në 11 telekomedi, ndërsa në dy edhe ka interpretuar. Ai ka qenë regjisor edhe në shfaqje të vëna në skenë në teatrin “Migjeni”, ndërsa është regjisor në RTSH. Arian Çuliqi është i vitlindjes 1960.

Kandidati i dytë është Albri Brahusha. Ka studiuar drejtesi, por i është kushtuar gazetarise dhe letersise. Ka shkruar dramat “Përrallat gënjejnë”, “Vizita e fundit” dhe “Ishulli i Shitenit”, te trija te vëna në skenë ne teatrin “Migjeni”. Ne vitin 2002 “Vizita e Fundit” u vu ne skene ne italisht, në Trento, Itali, nga Compagnia dell Attimo, me regji të Hervin Çulit. Ka shkruar edhe pjeset “Për Elizën”, “Eldorado”, “Uverturë me tetë gishta”, “Në vagonin e klasit të fundit” dhe “I harruar nën armë”, botuar në revistën “Orana”. Gjithashtu ka botuar vellimin me tregime “Ignorantia” dhe romanet “Qyteti i Shiut” dhe “Tete e gjysem. Brahusha është i vitlindjes 1973.

Kandidati i tretë zyrtar është Arben Mazi, president i Agjensive të Spektakleve “Buna 1” dhe “Buna 2”, producent i mëse 1394 premierave, spektakleve, konkurseve të bukurisë, kamerave të fshehta dhe shfaqjeve në Shkodër, Shqipëri dhe Diasporë. Mazi përveç se organizator, në këto evente ka qenë regjisor, skenarist, libretist dhe autor i teksteve të ndryshme, duke shënuar një rekord absolut për sipërmarrjen artistike dhe kulturore, si producenti më i suksesshëm shqiptar nga viti 1990. Me eksperiencën e akumuluar ndër vite, ai mund të konsiderohet ndër kandidatët më potencialë në këtë garë të hapur nga Bashkia Shkodër.

Sara Smaja, aktore, është një tjetër emër që i është bashkuar garës për drejtor i teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Për disa kohë, ajo ka punuar në këtë institucion.

Ilir Dragovoja është kandidati i pestë dhe i fundit i kësaj gare. Edhe ai ka punuar si regjisor në Teatrin e Kukullave, edhe pjesë e Teatrit “Migjeni”, edhe ai i pushuar nga puna.

Pritet në ditët në vijim që Bashkia Shkodër të vijojë me fazat e tjera të këtij konkurrimi për drejtues të institucionit shumë të rëndësishëm të kulturës në Shkodër e më gjërë. /ShkodraWeb/