Gjashtë të vdekur nga koronavirusi, ISHSH ul testimet, 67 raste pozitive

Kjo e shtunë ka shënuar një numër rekord viktima nga koronavirusi, me 6 humbje jete të pacientëve me Covid.

Nuk e kanë fituar dot betejën në spitalin COVID1″Infektiv” një 43 vjeçare dhe një 79 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçar nga Kruja, të tre të intubuar prej disa ditësh, me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Nuk kanë mundur të mbijetojnë në spitalin Covid 2 “Shefqet Ndroqi”, një 62 vjeçar nga Pogradeci me sëmundje bashkëshoqëruese, një 56 vjeçar nga Kukës, dhe një 69 vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera.

Në total numri i të vdekurve që prej fillimit të pandemisë është 134.

Ndërkohë ISHSH ka ulur numrin e testeve duke kryer vetëm 304 tamponë në 24 orët e fundit nga të cilët 67 kanë rezultuar pozitivë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 56 raste në Tiranë, 8 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Sarandë.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 115 pacientë, 21 janë në terapi intensive dhe 9 pacientë janë të intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 29 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 2637, që nga fillimi i epidemisë.