Guida e parë për Shkodrën, nga Gjush Sheldia…

Nga Besi BEKTESHI

Një nga njerëzit e përkushtuar shumë për Shkodrën, pasuritë e saj kulturore, trashëgiminë në përgjithësi, është dhe mësuesi i talentuar Gjush Sheldija. Normalisht unë kam pasur fatin të shfletoj punët e tij në Arkivin e Muzeut Oso Kuka Shkodër, por aktiviteti i tij i jashtëzakonshëm shtrihet si paraçlirimit dhe mbas viteve 1944-tër, sidomos në Muzeun Popullor.

Një nga cilësitë e tij të jashtëzakonshme ishte kryerja e një “Guide” për Shkodrën. Kishte pasur përpjekje dhe në vitet e më përpara, por pa ndonjë sukses dhe jo me shpjegime të shumta e të qarta si vendndodhje dhe histori. Sheldija në fillim të viteve ‘50-të, ka sjellë për Shkodrën “guidën” e parë të plotësuar dhe të mirë qartësuar nga pikëpamja historike. Një përshkrim se çfarë kishte pasuri Shkodra, ku ishin dhe kush ishin njerëzit apo lagjet e saj mungonte.

Një prej këtyre daktilografimeve personale të tij të gushtit 1951-të (por e filluar si punë në vitin 1950) sigurisht është nga më të qartit, se kush në fakt ishte pikërisht qyteti më i mrekullueshëm sipas patriotit dhe mësuesit të devotshëm shkodran. Ai që në fillim përshkruan rrugët e qytetit dhe i krahason me dikur, por thotë se nga fundi i shekullit të kaluar “karrocën e parë shëtitëse e kishte prurë Shan Nika” dhe biles “karrocieri i parë profesionist kishte kenë Gjok Dragusha” e normalisht që Sheldija nxirrte pa e thënë si moment, se qyteti i tij ishte i pari për të tilla prurje nga perëndimi. Por ai vazhdon dhe me biçikletën, duke thënë se: Biçikletën e parë e solli në qytet Zef Çeka-Suma duke këmbëngulur për vitin 1902, megjithëse ka të tjerë që thonë se ky mjet në Shkodër ka ardhur disa vite më përpara nga një italian. Kurse automobili i parë, pronë i një qytetari në Shkodër, shëtiti në vitin 1913 si meritë e Gaspër Manit. Sheldija nuk është i prirur të ekzagjerojë dhe as të “avancojë” në kohë, për të tilla rekorde të Shkodrës sigurisht. Ai e ka fjalën për pronësitë shkodrane dhe jo të huaja. Ai përshkruan 31 lagjet e Shkodrës që janë:Ajasma, Arra e Madhe, Ballabane, Badra, Bahçalleku, Dudasi, Dërguti, Draçini, Lagja e Re, Gjuhadolli, Has – Hoti, Hasan Riza, Kirasi, Lekaj, Lugu-Çezme, Maxharej, Ndocej, 28 Nanduer, Parruca, Perashi i Sipërm, Perashi i Poshtëm, Qafa, Rusi i Madh, Rusi i Vogël, Rusi i Naltë, Serreqi, Skanderbegu, Shaban-Efendi, Tepe, Tophana, Tej-Bune të cilat Bashkia e djeshme dhe e sotme e Shkodrës, pavarësisht se janë riemëruar lagjet, “ishte dashtë me i evidentu” dhe ruajtur si titullim së paku poshtë emërtimeve të reja. Në fund të fundit, edhe sot në Shkodër, vijojnë njerëzit ti përmendin, po me të njëjtat koordinata dhe emra. Por Sheldija tregon dhe banorët e Shkodrës. Ai thotë se: Shkodra deri me 30 shtator 1950-të, kishte këta banorë; 23835 myslimanë, 9644 katolikë dhe 595 ortodoksë ose 34074 banorë gjithsej. 

Sheldija ndalet pastaj në udhëtimin që një personi që do të njohë Shkodrën, por e “bën të hyjë nga Bahçallëku” dhe e prezanton me Tyrben e Kasem Alli Sulltanit dhe interesantja është se “deri vonë ajo ka pasë thotë Sheldija një rrasë të Septim Severit” sot së paku kjo është e humbur. Pastaj në të djathtë rruga të çon në Qafë dhe aty janë muret e shtëpisë së Vezirit, të cilat kanë humbur sot dhe bashkë me to edhe zbulimet e viteve 1970-të të mbuluara me shtëpi dhe lokale në këtë vend. Pastaj Sheldija thotë se lart gjendej kodra e Pashës ku ishte dhe Tyrbja e Çengelave ku Pasha-Vezir, varte kundërshtarët e tij. Edhe kjo trashëgimi ka humbur. Pastaj lagja Tabake e cila përmendet shumë dhe për një luftë të bërë me 8 shtator 1736 të dielën herët në Pazar të Shkodrës mes Terzive dhe Tabakëve. Sigurisht Shkodra sot i ka harruar dhe këto, sepse ja kanë prishur dhe Pazarin dikur. Vijon me lagjen Ajazëm ku është xhamia e famshme e Plumbit dhe kjo lagje thotë Sheldija, përmendet në një dokument të Pal Engjëllit në vitin 1464. Sheldija përmend dhe kodrën Tepe, mbi të cilën janë disa kazerma të vitit 1912-të të ndërtuara nga ushtria Turke. Në këtë vend është Gomna e Harapit thotë Sheldija “ku u pat mbytë një pashë turqeli”, dhe këtu sulltan Mehmeti pat thirrë para qëndresës së madhe shkodrane për kalanë “sa çerdhe të bukur paska zgjedh shqiponja me rujt zogjët e vet”?! 

Pastaj Sheldija përshkruan Bunën dhe liqenin, varkat dhe lundrat, peshkimin dhe dajlanet. Fabrikën e Çimentos dhe llojet e peshkut apo dhe zogjve. Sheldija si “ashtu pa të keq” përmend se majë sukës së Shlavrenit si zonë arkeologjike ku u pat gjet në vitin 1950 një pare e Valentinianit 375 para erës së re, që ruhet në Muzeun Popullor të Shkodrës…?!

Pastaj Sheldija tregon Rozafatin dhe legjendën dhe pohon qartë dhe mirë atë që sot nuk e përmendin se quhet “Vida” heroina iliro-shkodrane, e “murrosun prej kunetëve” dhe tregon tekstin e këngës së saj. Edhe këtë gjë ne nuk e përmendim. Pastaj ai përmend në hyrje varrin e nënës së Vezirit ose Hanife Hanëmi. Por Sheldija tregon se edhe dera e kalasë si punë veneciane kishte pasur një luan të Shën Markut por “atë e patën shkulë malazezët dhe e çuan në Cetinjë” dhe ne nuk e themi këtë gjë bashkë me hajdutërinë e tyre te armët në kapiteneri, që zbukurojnë muzetë në shtetin e vogël ambicioz për Shkodrën. Ne nuk i themi këto gjëra kaq të rëndësishme për historinë. Ai tregon dhe çengelat ku vareshin “të dënuemit”, por dhe kishën e Shën Shtjefnit të shndërruar në Xhami dhe bri saj burgjet e vezirit të Shkodrës. Biles ai tregon se aty Mustaf Pashë Bushatliu, kishte mbyt me helm dy nipat e tij Dervish Begun dhe Tahir Pashën. 

Poshtë kalasë, Sheldija thotë për kishën e Zonjës, si kishë shumë e vjetër që përmend Barleci në vitin 1477, por që në vitin 1917 është “rikonstrukturuar nga ingj Idromeno”. Muzaikët shumgjyrëshe të kësaj kishe vërteton Sheldija i janë dorëzuar Muzeut Popullor nga dr Ernest Çoba…?! Më vjen keq, por edhe unë mund të pyes se ku…janë?! Pastaj Sheldija merret me kryeveprën shkodrane ose Pazarin e Madh, ku ai tregon sasinë impresionante të zanatlinjve dhe që ishte më i madhi i krahasuar me atë të Stambollit dhe që kishte arritur të kishte 3000 dugaja. Ai përmend hamamin dhe kishën e vjetër të Shën Vlashit e vitit 1518. Tërmetet e kishin shkatërruar disa herë pazarin dhe Sheldija i përmend ato të viteve 5 tetor 1837 dhe ai i 16 korrikut 1855, por i fundit i madh ishte ai i 1 qershorit 1905. Malazezët e dogjën në maj të vitit 1913 thotë Sheldija. Ai përshkruan me shumë dashuri si tregtinë dhe madhësinë e marrëdhënieve tregtare dhe artizane të qytetit të madh verior. Sheldija ju bën guidë të gjithë udhëtarëve me “hymjen e qytetit”, duke ju përshkruar të gjitha sa qyteti i madh i asaj kohe kishte.

Tregon kishat dhe xhamitë, por dhe institucionet e reja të shtetit, shkollat dhe konviktet, agjensitë e transportit, fabrikat dhe punishtet, hotelet dhe lokalet e ndryshme. Sheldija tregon Piacën në Shkodër, dhe rrugët e lagjeve të shumta të saj, karakteristikat e tyre dhe lulishtet e shumta, por dhe oborret e shtëpive shkodrane. Ai bën historikun e qytetit, trashëgiminë e tij kulturore, tregon për ahengxhinjtë dhe fotografinë, pastaj monumentet dhe libraritë dhe kino Verore apo shtëpinë e Cin Jubanit që është edhe sot. Ndërtesat kulturore dhe teatrin, por dhe muzeun dhe monumentet në rrethet e shumta të kulturës. Me kujdes Sheldija tregon administratën e re, por tregon dhe origjinën e ndërtimeve ku janë ato që sigurisht është e vjetër, dhe ju bën historikun, duke treguar dhe emrat e pronarëve. Ai përshkruan dhe vilën Paget të cilën e “formon” në vitin 1864. Sheldija tregon për Muzeun Popullor, dhe seksionet e tij që praktikisht i kishte formuar vetë në bashkëpunim me kolegët e tij. Tregon për arkeologjinë, historinë, etnografinë, pinakotekën të cilën me krenari mund të them e ktheva unë në vitin 2012, së bashku me kolegun Juka sërish në muzeun historik të Shkodrës. Sheldija tregon fermat dhe ndërmarrjet, por dhe garnizonet dhe punishtet. Ai përshkruan katedralen, por dhe në rrugicën e Gurakuqve, shtëpinë e Gurakuqit, e cila për turp është prishur në fillimet e demokracisë në Shkodër.

Pastaj dhe shtëpinë e Pionierëve ose të Kakarriqëve, e cila është prishur edhe ajo me firma dhe vula të pushteteve kohët e fundit, për turp dhe faqe të zezë duke qenë monument kulture dhe duke ndjekur rrugën e largimit nga ky status me firma të Apollon Baçes. Është për t’u habitur se sa detaje të cilat unë sigurisht nuk mund ti përmend në një shkrim të vetëm dalin nga një “guidë” e tillë e prof Gjush Sheldijës, i cili deri në fund të jetës së tij, u mor me trashëgiminë kulturore të qytetit të tij. Unë sigurisht kam pasur fatin të kaloj në duar përshkrime të tij, si të shkruara me dorë dhe me makinën e famshme të shkrimit të muzeut popullor, (repert në arkiv) dhe sigurisht edhe këto janë artefakte shumë të vyera të këtij arkivi në muze. Por në fund të fundit, kjo guidë dhe tentativë guide e mbas çlirimit është e para e këtij lloji që një institucion i rëndësishëm muzeal bënte në fillimet e tij jo vetëm në Shkodër. Ky përvjetor i këtij dokumenti, përbën dhe një kujtesë të veçantë të Shkodrës dje dhe asaj sot. Të asaj që është ruajtur dhe asaj që është prishur. Por më kryesorja të njerëzve që kanë punuar me shumë pasion në këtë drejtim. 

*Autori është historian-gazetar, ish përgjegjës i Arkivit Muzeu Shkodër