Hafiz Abdullah Berdica (Neziri) 1893-1963…

Hafiz Abdullah Berdica (Neziri) lindi në Shkodër me 01.10.1893 në një familje të shquar me tradita qytetare e fetare. Ai që në fëmijëri u edukua me moralin e lartë fetar islam dhe me dashurinë për atdheun. Bashkëkohësit e tij e kujtonin me nderim hoxhën e ditur, mësuesin dhe edukatorin e shquar, ligjëruesin e mençur e bindës dhe atdhetarin e përkushtuar.

Mjedisi ku ai u rrit ishte i mbushur me patriotë që mbrojtën atdheun nga sulmet shoviniste sllave. Hafiz Abdullahu deri në vitin 1906 vazhdoi mësimet fillestare në mejtepin e Molla Medo Sukniqit. Më pas ai vazhdoi studimet në Medresenë e Pazarit dhe studimet e larta i plotësoi në Stamboll ku u diplomua në vitin 1920. Gjatë studimeve ai mësoi edhe Kur’anin përmendësh, duke marrë titullin Hafiz. Hafiz Abdullahu krahas gjuhëve orientale, njihte edhe anglishten dhe italishten.

Në vitin 1920 kthehet në vendlindje i pajisur me diplomën e shkollës së lartë, një dokument prej 43 faqesh, ku shpjegoheshin lëndët dhe mësimet e marra si dhe emrat e pedagogëve të shquar të Stambollit. Ai menjëherë emërohet nga kryemyftiu i Shkodrës, Hafiz Sabri Bushati, mësues besimi në mësonjëtoren e Rusit, njëra nga tri shkollat e para shtetërore të Shkodrës, të hapura që në vitin 1913. Në vitin 1922, Drejtoria e Arsimit të Shkodrës e emëron mësues besimi, duke vazhduar kështu përkushtimin e tij në shërbim të edukimit të brezave të rinj me moralin e lartë islam.

Në vitin 1924 Hafiz Abdullahu emërohet sekretar i Zyrës së Sheriatit për Zonën e Shkodrës. Kjo zyrë shërbente për zgjidhjen e problemeve civile të qytetarëve në çështjet e trashëgimisë, pronave, marrëdhënieve tregtare, kurorave martesore, divorceve, etj., që shpeshherë krijonin shqetësime qytetare, zgjidhja e të cilave kërkonte maturi dhe drejtësi. Në këtë fushë të vështirë të drejtësisë spikati përgatitja intelektuale e Hafiz Abdullahut. Këtë detyrë e vazhdoi deri më 5.9.1929, kur kjo veprimtari u ndërpre me miratimin e Kodit të Ri Civil të Mbretërisë Shqiptare.

Në rreshtin e hoxhallarëve; nga e majta Hysni Bushati, Osman Osja, Muhamed Bekteshi, Abdullah Neziri, Esat Myftia dhe Xhevdet Zylja.

Pas kësaj periudhe, Hafiz Abdullahu shërben si vaiz dhe imam në disa xhami të qytetit ku shquhet për ligjëratat e tij. Me pushtimin fashist të vendit, për shkak të kundërshtimit të tij ndaj pushtuesit, ai detyrohet të largohet nga detyra e imamit dhe vaizit në qytet dhe emërohet vaiz shëtitës.

Në vitin 1944 emërohet myderriz në Medresenë e Shkodrës. Në këtë shkollë Hafiz Abdullahu jep gramatikën e gjuhës arabe dhe persisht. Ai e vazhdoi këtë detyrë deri më 21.2.1946. Në vitin 1946 emërohet zv/kryemyfti i Zonës Shkodër. Kjo përkonte me një kohë kur regjimi komunist kishte filluar luftën ndaj fesë në përgjithësi dhe Islamit në veçanti, duke arrestuar dhe dënuar shumë prej figurave të shquara të hoxhallarëve, duke shtetëzuar vakfe të shumta dhe duke mbyllur të gjitha medresetë, përveç asaj në Tiranë, që u mbyll edhe ajo pas disa vitesh.

Në vitin 1950 emërohet si kujdestar i bibliotekës fetare të Shkodrës. Hafiz Abdullahu e priti me gëzim këtë detyrë për arsye se kjo bibliotekë ishte një nga më të pasurat e qytetit, themeluar me kontributin e Mustafa Pashë Bushatlliut pranë xhamisë dhe medresesë së Pazarit. Kjo bibliotekë ka qenë një qendër kulture dhe diturie fetare islame, për të cilën është shkruar shumë në revistat e kohës si: “Zani i Naltë”, “Njeriu”, “Hylli i Dritës”, si dhe në mjaft studime të tjera.

Ai punoi si kujdestar i kësaj biblioteke për një kohë të gjatë që nga viti 1950 deri në vitin 1963. Ai jo vetëm që punonte dhe lexonte nga ato vepra të rralla të kulturës, por gjithashtu sistemonte dhe ua rekomandonte edhe dijetarëve të tjerë të qytetit. Për fat të keq kjo bibliotekë kaq e pasur u shkatërrua nga furtuna ateiste e vitit 1967.

Ai ndërroi jetë më 16.12.1963. Ai ka qenë gjithashtu këshilltar dhe nismëtar i ngritjes së Komitetit Bamirës Mysliman dhe i Medresesë së Shkodrës. Hafiz Abdullah Bërdica (Neziri) ishte mishërim i urtësisë, i intelektualit të ditur e të përkushtuar ndaj besimit islam. Ai gjatë gjithë jetës së tij ishte burim drejtësie, drite, paqeje dhe dëlirësie shpirtërore./RealitetiPost/

(Marrë nga libri “100 personalitete shqiptare të kulturës Islame)

Pergatiti: Medin Guri