Hajdari nga Kuvendi: Qeveria t’iu kishte dhënë shqiptarëve çek me para dhe jo pako ushqimesh

Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari akuzon kryeministrin Edi Rama se nuk është kujdesur për qytetarët shqiptarë në këto ditë pandemie dhe se përgjatë këtij muaji është konstatuar një pabarazi ekonomike dhe sociale.

Gjatë fjalës së saj këtë të enjte në Kuvend, Hajdari kërkon nga qeveria që të shtojë mbështetjen financiare për ata që ndodhen në vijën e parë të luftës me COVID-19.

“Përveç vetmisë, pasigurisë, duam apo s’duam sytë i kthejmë nga udhëheqja për të na orientuar drejt kësaj krizë. Kemi 1 muaj që rrimë të mbyllur dhe shohim një pabarazi ekonomike dhe sociale ku është zhytur vendi. Kryeministri thotë nuk do të jesh kurrë vetëm, por qytetarët ndihen më vetëm se kurrë. Qytetarët që kanë marrë remitancat nga të afërmit jashtë e kanë ndjerë menjëherë pasi nuk mund të marrin dhe ata ndihen vetëm sot. Ata që kanë bashkëshortët në punë sezonale jashtë shtetit sot nuk mbajnë dot familjet. Po ashtu familjet që mbanin familjen me dyqanin e lagjes ju dha një lëmoshë 26 mijë lekësh ndërkohë duhet të paguajë fatura dhe nuk i mbetet asgjë përveçse të rrijë e braktisur nga qeveria. Po ashtu, dhe një familje me pagat e bashkëshortëve që punonin në biznes të madh sot janë të papunë dhe gjenden para këstit të kredisë së shtëpive dhe ju e dini që këstet nuk po shtyhen se bankat nuk duan t’ja dinë se ç’farë thotë kryeministri”.

Sipas deputetes, familjeve në nevojë duhet t’iu zerohet fatura e energjisë elekrike, ndërsa shton që  qytetarëve shqiptarë mbi 18 vjeç duhet t’iu ishte shpërndarë çek me para dhe jo pako ushqimesh.

“Faturat e energjive elektrike kanë ardhur më të kripura kurse Rama është mes prozhektorëve që harxhojnë sa për 20 familje shqiptare. Edhe sot ato familje që kanë hedhur kursimet në një biznes të vogël dhe kanë mbyllur qepenat nuk kanë mbështetje. Kanë paguar taksat kokërr më kokërr, kredia vazhdon, mbështetje nuk kanë dhe si këto vazhdojnë pa fund. Ka familje që u është ndërprerë energjia elektrike. Asgjë nuk e gjente qeverinë të zeronte faturën e energjisë për familjet në nevojë por nuk janë të njëjtat realitete. Teksa qytetarët ndihen vetëm, ju shijoni lukset. Sot qytetarëve duhet t’u ishin falur faturat e energjisë elektrike dhe ujit. Sot qytetarëve mbi 18 vjeç duhet t’u ishte shpërndarë çek me para dhe jo pako ushqimesh”.