Hasani: Te Vllaznia ka një hall të madh për zgjedhjet, lojtarëve të larguar ua bëra të ditur

Drejtori teknik i Vllaznisë, Alban Hasani thotë se kampionati i këtij viti në Shqipëri, është më i bukuri i sezoneve të fundit. Në emisionin “SportZone” në MCN TV, Hasani tha se te Vllaznia tashmë ka një vështirësi të madhe për zgjedhjen e lojtarëve, pasi në ekipi ka futbollistë shumë të mirë.

Në lidhje me lojtarët që u larguan nga Vllaznia në verë për rivalët e tjerë të kampionatit, Hasani u shpreh se nuk kanë për të gjetur kurrë si ambienti në Shkodër.

“E kam thënë edhe më parë, që ky është kampionati më i bukur i sezoneve të fundit. Kukësi është më i bukuri i viteve të fundit. Edhe Partizani nuk mbetet pas. Vllaznia është pika ime e dobët dhe ka treguar lojëra të bukura.

Vllaznia-Kukësi do të jetë një spektakël. Janë përballë dy ekipe që bëjnë lojën më të bukur në Shqipëri. Stafi i Vllaznisë nuk ka qenë në hall ndonjëherë më shumë së këtë vit, për shkak të lojtarëve shumë të mirë në ekip dhe ka vështirësi për zgjedhje.

Kthimi i Martinit te Teuta, është jashtëzakonisht pozitiv. E njeh mirë kampionatin dhe skuadrën durrsake. Partizani ka një ekip shumë të mirë. Megjithatë besoj se Vllaznia këtë vit ka një marsh më shumë dhe do të bëjë mirë në fund.

Marku, Imami, Isaevski? Unë e kam thënë që kur u larguan, se nuk do të gjejnë askund ambient si Vllaznia. Lojtarët që kanë luajtur në Shkodër, janë mirëpritur. Në Shkodër nuk ka presion, po ka vetëm dashuri. “, u shpreh Hasani.