I gjetën banesën në Kiras me mina, tritol e armë, Gjykata lë në burg babë e bir…

Gjykata e Shkallës së Parë ka lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasit Petrit Kubazi dhe djalin e tij Gledis Kubazi.

Këta dy shtetas u arrestuan nga policia vendore e Shkodrës pasi iu gjetën në banesë armë, mina me telekomandë dhe disa municione të tjera. Gjatë seancës për masën e sigurisë shtetasi Petrit Kubazi deklaroi në sallën e gjyqit se ai nuk ka patur asnjë informacion për gjithë atë municion që policia sekuestroi në banesën e tyre.

Vetëm dy armët e gjahut, 52 vjecari pretendon se janë me leje ndërsa për pjesën tjetër e ka marrë vesh në komisariat pasi është arrestuar se janë gjetur në banesën e tij.

“Unë nuk e kam ditur aspak se ato armë dhe municioni ndodhej në banesën time. Vetëm kur kam ardhur në komisariat kam pyetur djalin dhe ai më ka thënë se i kishte gjetur një natë më përpara në një vend por nuk ka patur kohë të më tregojë sepse nuk jemi takuar dhe të nesërmen në mëngjes erdhi policia.

Arma e gjahut shotgun atë e kam me leje sepse unë jam gjuetar ndërsa arma tjetër sportive edhe ajo është me leje dhe është e një të njohuri. Sa i përket pjesës tjetër të armatimit nuk kam patur asnjë ide se janë në banesën time.

Radiot që janë gjetur ato ka tre vite që i kam sepse blihen kudo në internet dhe i kam përdorur për gjueti për të komunikuar. Unë kam punuar gjithë jetën time dhe më pëlqen gjuetia ndaj nuk kam asnjë lidhje me municionet,” ka deklaruar ai.

Ndërkohë djali i Petrit Kubazit, shtetasi Gledis Kubazi, 20 vjeç deklaroi përpara gjykatës së tri minat me telekomanda të lidhura me telefon, tetë kallepët e tritolit C4, kapsollat detonatore si dhe 50 fishekët deklaroi në sallën e gjyqit se i kishte gjetur një natë më përpara por pa e ditur se çfarë janë.

“I kam gjetur rastësisht një natë më përpara por nuk ia kam vënë rëndësinë dhe nuk e kam ditur se çfarë janë konkretisht sepse nuk i njoh. I kam marrë pa e ditur se çfarë ishin dhe kam dashur që ta pyes babain se çfarë janë por nuk kam patur kohë të flas me të sepse të nesërmen erdhi policia dhe nuk arrita që të komunikoj me babain”, mësohet të ketë thënë 20 vjeçari.

Ndërkohë gjatë seancës, avokatët mbrojtës Anton Kosteri dhe Edit Gyrçari kërkuan që gjykata e shkallës së parë të linte me masë sigurie “arrest shtëpie” 20 vjeçarin Gledis Kubazi dhe me të drejtë që të vijojë të ndjek shkollën e mesme.

Nga ana tjetër një masë lehtësuese u kërkuar edhe për shtetasin Petrit Kubazi duke qenë se nuk ka patur dijeni për municionet. Nga tjetër prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Pasi dëgjoi palët gjykata e shkallës së parë vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për babë e birë ndërsa është në gjendje të lirë djali i vogël duke qenë se është minoren.

Në këtë operacion të policisë një sasi municioesh u gjet edhe në një banesë tjetër por 82 vjeçari Cuf Mataj po ndiqet penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës së tij madhore.