Instituti i Shëndetit Publik hap tenderin për blerjen e kiteve për testin e Covid-19 me vlerë 50,5 mln lekë

Instituti i Shëndetit Publik hap tenderin për blerjen e kiteve për kryerjen e testimeve për Covid- 19 me vlerë 50,5 milionë lekë.

Në formularin e kontratës që duhet të plotësohet nga autoriteti kontraktor përcaktohet se  objekt blerje do të jenë kitet dhe materialet e tjera për manipulim në biologjinë molekulare për kryerjen e testimeve për Covid-19.  Duke qenë se objekti i prokurimit përbëhet nga disa artikuj, shumatorja e çmimeve për njësi është 37,915 lekë pa TVSH. Fondi limit i tenderit është përcaktuar në vlerën e 50,515,000 lekë pa TVSH .

Afati i dorëzimit të ofertave nga operatorët do të jetë deri më 18 shtator. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin do të jetë 12 muaj nga data e nënshkrimit.

Kontrata e prokurimit do të jetë Marrëveshje Kuadër dhe do të lidhet vetëm me një operator ekonomik, pasi siç shpjegohet në dokumentet e tenderit lëvrimi nga operatorë të ndryshëm nuk do të ishte i favorshëm, pasi do të sillte kosto shtesë dhe vonesa në furnizimi.

“Duke qenë se Shqipëria është një treg i vogël dhe mallrat objekt i MK (Marrëveshjes Kuadër me një kontraktor) janë mallra importi dhe tregu i jashtëm për këta artikuj  është shumë dinamik  për shkak të pandemisë globale të Covid -19  dhe nuk ka prodhim vendas për artikujt e listës së kërkuar, me qëllim garantimin e furnizimeve në afatet kohore të përcaktuara nga Autoriteti Kontraktor përfitues, MK me një Operator Ekonomik të vetëm fitues do të garantonte sigurinë e furnizimeve sipas kushteve të përcaktuara dhe brenda afateve të kërkuara, duke sjellë stabilitet në menaxhimin e mini-kontratave dhe të nevojave të AK për kryerjen e testimeve te Covid 19 nga laboratorët e ISHP-se.

Pasiguria dhe vonesat mund të sjellë dështime në furnizimin me këto materiale si rrjedhoje sjell bllokimin e punës në sektorin e survejancës laboratorike të Sëmundjeve Emergjente Virale në Institutin e Shëndetit Publik, për testimin e  Covid-19.”

Aktualisht Shqipëria bën më pak se 1,000 testime në ditë, duke e renditur atë ndër vendet me numrin më të ulët të testimeve në raport me popullsinë. Një nga strategjitë e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qenë kryerja e sa më shumë testimeve, si një mjet për të gjurmuar koronavirusit, në mënyrë që të kufizohet përhapja e tij.