“Izraeli po kryen një ‘Nakba të re’ në Rripin e Gazës”…

Kreu u Organizatës Euro-Mesdhetare për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut (Euro-Med) me qendër në Gjenevë, Ramy Abdu në lidhje me sulmet e Izraelit kundër Gazës tha se “Izraeli nuk u jep njerëzve mundësinë të shkojnë në vende të tjera, as nuk u njeh të drejtën për të jetuar”.

Në një prononcim për Anadolu, Abdu tha se përpjekjet e Izraelit për të detyruar civilët në Rripin e Gazës të migrojnë, të rikujton Nakban (Fatkeqësinë e Madhe) kur palestinezët u dëbuan nga atdheu i tyre në vitin 1948.

Duke rikujtuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i paralajmëroi ministrat më 12 nëntor, kur ministri i Bujqësisë, Avi Ditcher e përshkroi mërgimin e detyruar të popullsisë civile në Rripin e Gazës si “Nakba e Gazës 2023” Abdu tha: “Padyshim që Izraeli po kryen një ‘Nakba të re’ në Rripin e Gazës. Ministrat në Izrael po flasin për këtë çështje. Netanyahu paralajmëron të mos flitet për këtë çështje sepse nuk dëshiron të përballet me opinionin perëndimor”.

Abdu shpjegoi se Izraeli dëshiron që “Nakban e re” në Gaza ta realizojë në mënyrë të ngadaltë dhe të planifikuar. “Izraeli nuk u jep njerëzve mundësinë të shkojnë në vende të tjera, as nuk u njeh të drejtën për të jetuar. Këtë gjenocid e kryen duke vrarë në masë palestinezët, duke bërë spastrim etnik dhe përmes politikave të tij për migrim të detyruar”, tha ai.

Pasi tërhoqi vëmendjen se pas Nakbas u diskutua e drejta për rikthimin e palestinezëve në territoret e tyre, Abdu ndau mendimin e tij se “Nëse Izraeli vazhdon sulmet në këtë mënyrë, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk mban një qëndrim të qartë që thotë ‘jo‘, mundësia jonë që të flasim për shndërrimin e banorëve të Gazës si refugjatë në territoret e tyre është shumë e lartë”.

– “Jetës tashmë në Gaza nuk i ka mbetur më kuptim”

Abdu tha se komuniteti ndërkombëtar ka qëndruar i heshtur ndaj krimeve që Izraeli ka kryer.

“Izraeli po përpiqet t’i japë fund pranisë palestineze në Gaza duke vrarë mijëra persona, duke i frikësuar, shkatërruar shtëpitë dhe duke shënjestruar elementët bazë të jetës. Shënjestrimi i spitaleve është pjesë e synimit të Izraelit ndaj hapësirave bazë të jetesës. Jetës tashmë në Gaza nuk i ka mbetur më kuptim. Izraeli i ka vënë syrin rajonit jugor të Gazës me qëllimin zhvendosjen e plotë të palestinezëve”, tha Abdu.

Ai thotë se sulmet e Izraelit ndaj Gazës janë krim gjenocidi. “Izraeli po kryen të gjithë elementët e gjenocidit që përcakton ligji ndërkombëtar. Vrasja me dashje, me qëllim të shkatërrimit, tërësisht ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar përmes zbatimit të një plani është krim gjenocidi”, u shpreh Abdu.

Më tej ai nënvizoi se Izraeli zbaton rrethim të plotë ndaj Gazës. “Izraeli bombardon në Gaza furrat e bukës, depot e ujit, objektet e prodhimit të ujit dhe mullirin e vetëm të miellit. Izraeli po bëhet shkaktar për urinë në një zonë vërtetë të gjerë. Nuk lejon hyrjen për asgjë në Gaza, ndërsa ndihmat që lejon të hynë janë shumë të kufizuara, aq pak sa nuk mund t’u ofrojnë asgjë njerëzve atje”, thekson kreu i organizatës “Euro-Med”, Abdu.

“Zhvendosja e palestinezëve me detyrim nga Izraeli është ndër elementët e gjenocidit”, tha Abdu duke shtuar se “Izraeli ka bombarduar në çdo orë të ditës banorët e Gazës që refuzojnë të zhvendosen, i ka rrethuar dhe nuk ka lejuar që brenda të hyjë ndonjë gjë. Madje, edhe natën kryen sulme me fosfor të bardhë për të djegur zonën, për të zhvendosur popullatën dhe nuk lejon që njerëzit të qëndrojnë në këtë rajon”.