“Jam i befasuar si u largua”, flet mbrojtësi i Vllaznisë: Jonuz nuk kishte lënë asnjë…

Mevlan Adili ka mbetur i befasuar nga largimi i Mirsad Jonuz. Mbrojtësi shqiptar nga Maqedonia e Veriut e ka cilësuar më tepër një vendim personal të trajnerit, që sipas tij erdhi në një moment ku askush nuk e priste në skuadër.

Lojtari që iu bashkua Vllaznisë vetëm në janar, në një bisedë për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes me Laçin, foli për largimin e Jonuz, situatën në skuadër, por jo vetëm.

Adili5

Mevlan, vetëm tri ditë para para ndeshjes me Laçin u largua trajneri Mirsad Jonuz. E prisnit diçka të tillë?

Të them të drejtën ishte diçka befasuese për mua. Ishte e papritur, sepse asnjëherë profesori nuk kishte lënë asnjë shenjë për të kuptuar se do të largohej. Më vjen vërtet keq, por është një vendim personal i tij. Nuk di çfarë të them më tepër.

Iu bashkuat vonë skuadrës, por Vllaznia e rinisi me një fitore në Vlorë. Sa të rëndësishme ishin këto pikë?

Këto pikë ishin shumë të rëndësishme, pasi vinim nga një pauzë për shkak të pandemisë që kaloi tërë bota. Mendoj se duhet të jetë motivim shtesë për ndeshjet e radhës.

Sërish luani në transfertë, këtë herë me Laçin…

Çdo ndeshje për neve është e rëndësishme, nuk ka ndeshje të fortë apo të lehtë. Pra, ka vetëm ndeshje ku mundesh edhe s’mundesh. Në Laç do të shkojmë për rezultat pozitiv. Unë jam i gatshëm, shpresoj që të më jepet shansi nga stafi teknik dhe të luaj kundër Lacit.

Vllaznia me mbrojtjen më të mire deri më tani në kampionat. Cili është çelësi i suksesit?

Edhe para se të vija në Shkodër, ka qenë mbrojta më e mirë në Superiore. I përgëzoj shokët për punën që po bëjnë, por shpresoj deri në fund të vazhdojmë kështu. Sa i përket çelësit të suksesit që ne pësojmë pak gola, mendoj se sekreti është te gjithë ekipi në fazën mbrojtëse.

Duke parë ngjeshjen në tabelë, e shikoni skuadrën të rrezikuar për “play-out”?

Asnjëherë nuk e kam parë ta rrezikuar, prandaj në janar vendosa të vija tek Vllaznia. Ne shohim sa më lart në tabelë.

Kalendari është mjaft i ngjeshur, pasi do të luani të enjten edhe Kupën. E ka luksin Vllaznia të pretendojë në këtë kompeticion?

Vllaznia në Shqipëri është ekip i madh dhe me traditë, kështu që çdo herë sheh nga trofetë. Padyshim që do ishte një mrekulli nëse do e sjellim Kupën në Shkodër.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL