Josa: Erzeni nuk është surprizë, Vllaznia duhet të bëjë më shumë…

Trajneri i Vllaznië, Mirel Josa, ka folur para mediave, në prag të sfidës me Erzenin, të vlefshme për javën e 10-të në Abissnet Superiore.

Tekniku i shkodranëve, u shpreh se Erzeni nuk është më surprizë, pasi ka vazhdimësi në kampionat.

Në lidhje me Vllazninë dhe objektivat e skuadrës, Josa deklaroi se kuqeblutë duhet të bëjnë më shumë.

E kam ndjekur ecurinë e Erzenit, nuk mund të themi që është surprizë. Kjo ndodh kur fiton një ndeshje, por jo kur ka vazhdimësi siç ka ekipi i Erzenit. Hidhet poshtë ajo gjë që është ligji në futboll, kur nuk ka skuadra të mëdha dhe të vogla. Erzeni pretendimet i ka rritur sepse ka treguar se çfarë skuadre është dhe nuk është më kot aty ku ndodhet. E ka nisur kampionatin mirë dhe e ka nisur shumë mirë kundër Vllaznisë. Ne nuk ishim të përgatitur mendërisht se Erzeni do të surprizojë Vllazninë ose skuadrat e tjera. Erzeni e tregoi gjatë vazhdimit të kampionatit që nuk janë rastësi, ata kanë ardhur këtu duke ngritur nivelin e lojës, si taktikisht dhe fizikisht. Nuk janë rastësi pikët që ka marrë ndaj ekipeve pretendentëve duke filluar nga Vllaznia, Partizani, Tirana, Laçi. Për mua është një ndeshje që luhet me një ekip që ka më shumë pikë sesa ne në renditje. Çdo ndeshje duhet fituar, jo vetëm me Erzenin, por edhe të tjerat. Do të shohim ndeshjen ndaj Erzenit nesër se çfarë pozitash do të jemi pas ndeshjes.

Jemi munduar që të aktivizojmë gradualisht duke marrë parasysh edhe 3 lojtarët që ishin në Kombëtare. Të shohim sot se çfarë gjendje kanë, duke pasur parasysh udhëtimin dhe sa janë aktivizuar me Shqipërinë.

Vllaznia ka rival veten e vet përpara dhe më pas skuadrat e tjera. Çdo ekip ka ulje-ngritjet e veta dhe tani futemi në fazën e dytë të kampionatit, e cila do të tregojë për stabilitetin e skuadrave. Ne na interesojnë pikët dhe loja e skuadrës. Për të shkuar te loja e skuadrës duhet të bëjmë pak më tepër. Çdo ekip duan që të kapin objektivat që i kanë caktuar drejtuesit e skuadrave dhe ne themi se jemi në rrugë të drejtë. Pikët janë të rëndësishme për sa i përket vazhdimësisë.