“Kam marrë 4 pikë në 2 ndeshje”! E pyesin për mungesën e Alivodës, trajneri i Vllaznisë: Pse nuk e ngritët këtë çështje kur fituam me Erzenin?

Në orën 15:00 janë zhvilluar dy ndeshje emocionuese në Superiore. Më pak spektakël është parë te Kukësi-Vllaznia, në një takim ku ka dominuar frika për të mos humbur. Në fund ekipet kanë barazuar pa gola, teksa shkodranët mund të thuhet se “i kanë larë duart” me titullin kampion.

Kukësi ka qenë më pranë fitore pasi i janë anuluar dy gola. Fillimisht me Ebert dhe në minutën e fundit me Johnson, por vendimet kanë qenë të drejta. Vllaznia prodhoi shumë pak për të fituar në pjesën e dytë.

Nga ana tjetër spektakël është parë te Laçi-Partizani që përfundoi 3-2. Fillimisht ishin të kuqtë që kaluan në avantazh me Da Silvan pas një gafe të Gentian Selmanit që shkaktoi penallti të kotë, kur pora e tij nuk po rrezikohej. Barazimi do të vinte pak minuta më vonë në të 43, me Guindo.

Vetëm tre minuta pas nisjes së pjesës së dytë ishte Shkurtaj që i dha avantazhin Lacit. Goli i tretë ishte një spektakël i vërtetë për kurbinasit që zgjodhën të kombinonin para portës të kryeqytetasve, aq shumë sa e tepruan duke mos zgjedhur që të godisnin portën, por edhe me pak fat ishte sërish Guindo që gjeti rrjetën në të 78.

Për të ngushtuar diferencat mendoi Mba, 10 minuta më vonë, teksa shënoi pa e parë portën. Por në fund Partizani ka humbur dhe nëse Tirana arrin të fitojë në ndeshjen e sotme, diferenca mes tyre do të shkonte në pesë pikë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Sedloksi: “Sot ishte një ndeshje shumë e fortë, ne e dinim që ata do të ishin agresiv në fushën e tyre. Rezultati është real. Kemi 4 pikë në 2 ndeshjet e mia këtu. Tani vjen Tirana, duhet ta kemi mendjen te kjo përballje tani. Jam i lumtur me ekipi pasi dhanë gjithçka në fushë. Këtu kampionati është i fortë, të gjitha ekipet janë për Europë. Vllaznia me dy fytyra në dy ndeshje? Nuk luhen të gjitha ndeshjet njësoj, Kukësi është i fortë, e kam parë edhe në ndeshjen e fundit. Alivoda? Në këtë pozicion është Boshnjaku dhe Jonuzi. Pse nuk e pyetët këtë gjë pas ndeshjes me Erzenin, por sot? E di që është lojtar i mirë”.

Hima(zëvendës trajneri i Laçit): “Ndoshta Stavri Nica nuk del këtu në intervistë se e ka për fat, prandaj më lë mua këtu. Do ta pyes dhe do t’ju kthej përgjigje se pse nuk del. Partizani? Jemi mësuar që të pësojmë gol në fillim dhe pastaj ta përmbysim ndeshjen. Ne mund të shohim edhe më lartë në renditje”.

Hallaçi: “E dinim se do të ishte shumë e vështirë sot për ne. Sot kemi reaguar, por nuk mjaftoi kjo, nuk i morëm pikët maksimale. Duhet të kujtojmë edhe vlerat që ka Vllaznia, ka lojtarë cilësorë. Jam i pakënaqur nga disa lojtarë, megjithëse nuk do të përmend emrat e tyre. Peposhi? Ndieu shqetësime dhe prandaj e ndërrova. Ai u nervozua, por unë dua më të mirën nga lojtarët dhe mendoj për shëndetin e tyre. I thashë lojtarëve që duhej të kishin prodhuar edhe më pak më tepër. Në këtë moment nuk na intereson loja e bukur, duhet të marrim pikët”.

Kolela: “Kemi zhvilluar 10 minuta të këqija dhe pësuam gol. Diferenca ishte se kur Laci zhvilloi 10 minuta të mira shënoi, ndërsa ne jo. Të vjen keq se e kemi përballuar ndeshjen mjaft mirë. Nuk kemi probleme fizike, nëse do të kishim, nuk do të luanim në atë mënyrë në pjesë të parë. Nëse Tirana fiton, ne jemi jashtë luftës për titull, kaq. Ne do të luajmë kampionatin tonë, ndeshje pas ndeshje dhe të shohim”.