KAPITENI GURISHTA: KTHESA NIS QË ME KORABIN…

Besimi tek kthesa ekziston tek të gjithë pjestarët e Vllaznisë dhe këtë gjë ia kanë komunikuar edhe drejtuesve në takimin që kanë patur ditët e fundit me ta. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga kapiteni Erdenis Gurishta në daljen e tij para gazetarëve në pragndeshjen me Korabin.

Nëse deri tani kemi ardhur këtu ku jemi, kemi ardhur për meritë të të gjithëve dhe po ashtu, kur kalojmë një situatë të keqe, përgjegjësia është e të gjithëve. Por e them me bindje të plotë se trajneri ka mbështetjen e të gjithë ekipit dhe mund të them se është një ndër trajnerët më të mirë që ka ardhur në Shkodër. Jemi të lumtur që punojmë me të dhe të gjithë bashkë kemi për të vazhduar përpara drejt objektivit.

Na vjen keq për situatën e krijuar që nuk është e mirë, por ekipi ka forca për të reaguar sa më shpejt dhe besoj se ky reagim do të vijë që nesër kundër Korabit dhe Vllaznia do të bëjë kthesën.

Sigurisht që po i bëjmë një vlerësim maksimal Korabit sepse siç dihet ka eliminuar Tiranën, ndonëse luan në kategori të parë. Ka një ekip simpatik, ka një trajner të mirë si profesor Agim Canaj. E vlerësojmë shumë këtë skuadër, por do të futemi në fushë vetëm për të fituar dhe për të kaluar këtë moment të vështirë, këtë ngërç psikologjik që kemi krijuar dhe për ta kthyer atmosferën në anën tonë.

Momenti i ktheses? Besoj se po. E rëndësishme është të kualifikohemi nesër dhe pastaj e gjithë vëmendja do të përqendrohet tek Kastrioti.