Krijohet Njësia Policore Detare për sezon të sigurt veror, Rama: Tragjedia në Himarë të mos përsëritet më…

Share your love

Në strukturën e Policisë së Shtetit është krijuar edhe një strukturë sezonale, Njësia Policore Detare, që do të ofrojë sigurinë e një sezoni veror e turistik të sigurt për qytetarët nga mjetet lundruese në det dhe jo vetëm.

Pjesë e njësisë do të jenë 104 policë dhe 35 jet ski, që do të monitorojnë të gjithë bregdetin dhe zonat liqenore përmes një harte të krijuar nga ministria e Turizmit dhe ajo e Brendshme, ku do të përcaktohet mënyra e lëvizjeve dhe ndalesave të mjeteve lundruese të të gjithë kalibrave.

Kryeministri Edi Rama tha se kjo njësi lindi si shkak i nxjerrjes në pah të një dobësie të shteti që shkaktoi tragjedinë në Himarë sezonin e kaluar, ku një vogëlushe humbi jetën pasi u godit nga një motor uji.

Rama tha se një rast i tillë nuk duhet të harrohet dhe se pushuesit vendas dhe të huaj meritojnë siguri dhe relaks të plotë gjatë pushimeve të tyre.

“Sezoni i shkuar turistik veror, i cili ishte në të gjitha aspektet më i suksesshëm për turizmin në vend, u përgjak dhe u njollos rëndë nga një ngjarje e cila revoltoi të madh dhe të vogël dhe hidhëroi të gjithë Shqipërinë. Një ngjarje e provokuar nga një pjesëtarë i padenjë, një shëmbëlltyrë e së keqes në komunitetin e Forcave të Policisë. Humbi jetën një vogëlushe pas asnjë arsye në botë dhe doli në pah një tjetër dobësi e shtetit në përballje me një peshë krejt të re si rezultat i një transformimit të vazhdueshme të sezonit turistik dhe i futjes në këtë sezon i mjeteve të ujit të cilat janë shtuar ndjeshëm, por duke shkuar ndjeshëm dhe rrezikshmërinë për pushuesit dhe një stres të pamerituar për ata që shkojnë në bregdet dhe duke shtuar shkallën e përgjegjësisë të policisë dhe të policisë kufitare.. U desh ajo fatkeqësi për të nxjerrë një mësim të madh dhe përgjigjur sfidës së re të rrezikut me krijimin e një njësi speciale të ujit për të vënë nën kontroll aktivitetin në ujë të mjeteve lundruese private.

Do sigurojnë një plazh të sigurt ndaj akrobacive të atyre me mjete motorike lundrues deri tek ndihma e atyre kanë nevojë në det. Kjo do ketë një koordinim të mirë me policinë në tokë dhe komisariatet që monitorojnë bregdetin që ndërveprimi të çojë në neutralizim të çdo problematike.

Ministra e Turqizmit dhe e ajo e Brendshme kanë përgatitur edhe të gjithë hartën e lëvizjeve dhe ndalesave dhe mundësive për veprim të mjeteve lundruese të të gjithë kalibrave. Ajo tragjedi duhet të jetë motivi i kësaj njësie që të mos ndodhë më, që ajo humbje e tmerrshme të shërbejë që fëmijët, familjet e turistët të ndihen të sigurt dhe të qetë në ato ditë që mezi i presin për të pushuar dhe për të marrë energji të reja për vitin”, tha Rama.

Një thirrje dhe paralajmërim Rama e pati edhe për drejtuesit e policisë në qarqe, ku tha se në rast se “mbyllin veshët” për shkak të bakshisheve dhe lejojnë muzikën në lokale përtej afatit do të largohen nga puna pa të drejtë më kthimi.

“Mbyllja e veshëve dhe bakshishet për të lejuar zhurma pseudo muzike përtej afatit t’i përkasin të shkuarës, bizneset të ndihen në shpinë e tyre të patrazuar nga askush dhe asnjë të mos ndihet i fyer sepse atij i mbyllet muzika sipas rregullit ndërsa tjetrit i lihet kundër rregullit.

Për çdo rast të tillë masa ndaj drejtuesi të policisë qarku, shefit të komisariatit dhe atyre që mbulojnë zonë të kenë masa drastike me largimin e tyre pa të drejtë kthimi. Nëse Shqipëria do të kthehet kampione e turizmit në Ballkan në 2030 duhet të ofrojmë një qetësi, rregull dhe relaks dhe të huajt të largohen me mendimin se në Shqipëri gjetëm atë që nuk e prisnim, qetësi, rregull, siguri dhe mirësjellje”, tha Rama.

104 oficerët e trajnuar e të pajisur me mjete të posaçme do të garantojnë që askush të mos cenojë perimetrin e sigurisë në plazhet tona.

Share your love