Kryeministri irlandez i rikthehet bluzës së bardhë për të luftuar COVID-19

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar ka hequr kostumin zyrtar dhe ka veshur bluzën e  bardhë pasi do të punojë një seancë në javë për të ndihmuar në krizën e koronavirus, sipas Irish Times.

Varadkar ka punuar si mjek për shtatë vjet para se të linte profesionin për politikë. Ai u hoq nga regjistri mjekësor në 2013.

Sidoqoftë, ai u regjistrua sërish në regjistrin mjekësor në mars pasi pandemia e koronavirusit nisi të godasë Irlandën. Ai është vendosur të punojë brenda Shërbimit Shëndetësor Ekzekutiv çdo javë, në një zonë të përshtatshme për kualifikimet e tij.

Shërbimi shëndetësor në Irlandë apeloi muajin e kaluar që të gjithë profesionistët e kujdesit shëndetësor që nuk punojnë në profesion të regjistrohen. Kësaj lëvizjeje për rekrutim masiv për t’u përballur  me krizën iu përgjigjën rreth 50,000 njerëz në më pak se tre ditë.

Sipas Irish Times, kryeministri iralndez po ndihmon në vlerësimet nëpërmjet telefonit. Kushdo që mund të ketë qenë i ekspozuar ndaj Covid-19 vlerësohet fillimisht përmes telefonit dhe më pas personalisht, për të frenuar përhapjen e virusit.

Varadkar vjen nga një familje mjekësore, djali i një mjeku dhe një infermiereje.