Kuvendi i Malit të Zi nuk voton shkarkimin e Abazoviç…

Kuvendi i Malit të Zi nuk ka votuar për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviç.

Shumica e deputetëve nuk e mbështetën agjendën që parashikonte votimin për shkarkimin e tij.

Propozimi për të larguar Abazoviçin nga posti i zëvendëspresidentit u iniciua nga kryeministri Zdravko Krivokapiç si përgjigje ndaj nismës së mëparshme të Lëvizjes Qytetare të Ura dhe partive opozitare për të votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiçit.

Nga gjithsej 81 deputetë, 77 ishin të pranishëm dhe vetëm 20 deoutetë ishin pro shkarkimit të Abazoviçit.

Qeveria e Malit të Zi është në prag të rrëzimit pas mosmarrëveshjeve të koalicionit qeveritar të krijuar nga partitë opozitare që përmbysën qeverinë e Milo Gjukanoviçit pas 30 vitesh pushtet.

Krerët e tre koalicioneve opozitare, pas krijimit të Qeverisë më 20 gusht 2021 i ndanë pozicionet e tyre drejtuese në shtet: Zdravko Krivokapiç (Frontit Demokratik) është zgjedhur kryeministër, Dritan Abazoviç (Lëvizja URA) për zëvendëskryeministër, dhe Aleksa Beçiç për kryetar Kuvendi (Partia DCR).

Kriza e pushtetit për shkak të mosmarrëveshjeve partiake, midis Kuvendit dhe Qeverisë, e po ashtu edhe brenda vetë Qeverisë, ka rezultuar me kërkesat për shkarkimin e të gjithë këtyre udhëheqësve në Mal të Zi.

Abazoviç kërkon shkarkimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Krivokapiç. Kryeministri Krivokapiç kërkon shkarkimin e Abazoviçit. Opozita kërkon shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Beçiç.

Partia e Abazoviçit, Lëvizja Qytetare URA, së bashku me parti të tjera, ka dërguar në procedurë parlamentare mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiçit. Për këtë mocion do të votohet në Kuvend më 4 shkurt.

Në qoftë se Qeveria e Krivokapiçit shkarkohet ditën e nesërme, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, do t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë së re një grupi politik, i cili është në gjendje që për propozimin e vetë të sigurojë 41 vota mbështetëse në Kuvend për propozimin e tij.