Lëvizte me pistoletë në automjet, policia e Shkodres arreston 41 vjeçarin…

Shkodër/ Kontrolle të befasishme për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri.

Qarkullonte me armë zjarri në automjet dhe tentoi t’i shmangej kontrollit të Policisë, arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë.

Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar edhe në informaconet e marra në rrugë operative, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. D., 41 vjeç, banues në lagjen Perash, Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Ky shtetas, duke drejtuar mjetin “Range Rover”, kur ka parë punonjësit e Policisë që i kanë bërë shenjë për të ndaluar, nuk i është bindur urdhrit të tyre, por ka tentuar të largohet me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje dhe e kanë bllokuar mjetin në qendër të Parrucës, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, si dhe kanë prangosur 41-vjeçarin.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në mjetin tip “Range Rover”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me 7 fishekë, të cilën e mbante pa leje.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.