Lumi Buna vijon të ndotet nga ujërat e zeza/ Projekti për ngritjen e impiantit ka mbetur në letër…

Me situatën e krijuar aktualisht, një sipërfaqe e konsiderueshme që laget nga ujërat e lumit Buna është kthyer në një moçal të vërtetë ku gjen gjithçka ndotëse.

Prej 25 vitesh autoritetet vendore por edhe ata qendrore, kanë përsëritur premtimin për ngritjen e një impianti të pastrimit të ujërave të zeza të qytetit për të shmangur ndotjen e Lumit Buna. Ky projekt i hartuar nga Bashkia e Shkodrës me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim vijon të mbetet në letër megjithëse së fundmi u premtua se në vitin 2021 do të niste zbatimi i tij.

Ka rreth 25 vite që lumi Buna nuk ka ndjerë asnjëherë ndërhyrjen për pastrimin apo thellimin e shtratit duke e rënduar së tepërmi situatën, në këtë ligatinë tepër të rëndësishme për Shkodrën, por në të ardhmen edhe për rajonin.

Kjo ndotje ndikon direkt edhe në largimin apo dëmtimin e resurseve peshkore. Më përpara ujrat e zeza të qytetit derdheshin në lumin Drin në pjesën hyrëse të qytetit vetëm pak metra pas urës se Bahcallekut.Më vonë derdhja e këtyre ujrave u zhvendos përgjatë shëtitores së molos.

Thuajse çdo vit, të rinjtë vullnetarë të ndërmarrin aksione për pastrimin e bregut të Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, duke synuar ndërgjegjësimin e bizneseve dhe qytetarëve. Megjithatë kjo nuk mjafton pasi, strukturat përgjegjëse duhet të jenë më të vetëdijshme mbi rëndësinë e masave për mbrojtjen e mjedisit të përbashkët natyror.

Shkodra është një nga qytetet e Shqipërisë që rrethohet nga ujërat e lumenjve Buna, Drin dhe Kir si dhe nga ato të Liqenit të Shkodrës, i cili është edhe më i madhi në Ballkan.