Mbi 4000 hektarë nën ujë, Voltana Ademi: “Për papërgjegjshmërinë, gjithsecili do të duhet të japë llogari shpejt!”…

Ditën e sotme, sipërfaqja e përmbytur në bashkinë tonë ka kaluar 4000 hektarët. Niveli i ujit është rritur dhe dëmet në kultura bujqësore dhe blegtori, po shtohen ditë pas dite.

Është dita e 34 – t e përmbytjeve, ka nisur muaji i dytë i vështirësive ekstreme për mijëra banorë, ndërsa qeveria qendrore nuk shihet më as në territor.

Mos shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për zonat e përmbytura në Oblikë, Obot, Muriqan, Goricë, Dajç, Shirq, Darragjat, Pentar, Suka- Dajç, Belaj, Rrushkull, Samrish i Ri, Baks i Ri, Luarz, Ças, Reç i Ri, Trush, Berdicë e Siperme, Berdicë e Madhe, Zues, Shtoj i Vjetër, Shtoj i Ri, Dobraç , zonën e Livadheve është në kufijtë e papërgjegjshmërisë së paprecendent. Janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për ta shpallur gjendjen e emergjencës, por kjo nuk po ndodh.

Përsëris kërkesën time për shpalljen e gjendjes së emergjencës për shkak të fatkeqësisë nga shkarkimet në HEC- e. Duhet të veprohet tani, një orë e më parë, që pasojat e kësaj situate të rëndë sociale dhe ekonomike të zbuten sadopak. Qeveria mban përgjegjësi për këtë!

Parashikimet për ditët në vijim flasin për një situatë më të rënduar. Reshjet do të vazhdojnë, prurjet dhe shkarkimet nga hidrocentralet po ashtu. Sipas IGJEUM në qarkun e Shkodrës priten reshje shumë intensive që do të shoqërohen me shtrëngata dhe dëborë.

Për papërgjegjshmërinë, gjithsecili do të duhet të japë llogari shpejt!

https://www.facebook.com/ademi.voltana/posts/2846177365629972