Menaxhimi i situatës në Shkodër, Lamallari: Vendimmarrjet, produkt i diskutimeve me kryetaren e bashkisë

Vendimmarrjet për menaxhimin e situatës  se COVID-19 në Shkodër janë produkt i diskutimeve me kryetaren e bashkisë, Voltana Ademi.

Deklarata u bë nga Besfort Lamallari, koordinatori i qeverisë për situatën anti Covid në këtë qark në një lidhje me skype për RTV Ora.

Besfort Lamallari: Ka pasur disa takime përfshire edhe vendimmarrjen e përbashkët të parë të komisionit të mbrojtjes civile nga momenti që unë jam deleguar në këtë qark. Lidhet edhe me çështjen e tregjeve dhe lirimin e hapësirave publike ku policia e shtetit do të mbështesë në çdo sipërmarrje që kontribuon në përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe ruajtjes së shëndetit. Ka patur takime të vazhdueshme. Edhe vendimmarrja e fundit ishte produkt i një diskutimi të përbashkët me kryetaren e bashkisë për të proceduar në të njëjtin mënyrë edhe me tregun e shumicës në Dobraç ku kërkohet edhe rritja e parametrave të sigurisë. Por edhe zgjatjen deri në 23 qershor që përket me afatin e zgjatur nga qeveria për gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Kjo situatë reflektohet edhe në nivel lokal, ku vendi i mëparshëm për pezullimin dy javor të tregut Zdrale i nënshtrohet të njëjtës logjikë. 

Sa i takon testimeve, Lamallari tha se ndiqen të gjitha protokollet e mjekëve dhe ekspertëve.

Besfort Lamallari: Logjikën dhe protokollet për kryerjen e testimeve e përcaktojnë mjekët. Ka një shërbim të inteligjencës epidemiologjike, ka dhe njësia vendore e kujdesit shëndetësor, kemi operatorin shëndetësor, komiteti kombëtar për këtë emergjencë. Të gjitha bashkë duke marrë parasysh nevojat, domosdoshmërinë, garantimin e procesit të gjurmimit të plotësohet çdo nevojë për testimet.