“Në Finlandë, si nënkampione bote, më ofruan një ‘Benz’ që s’e pranova, kurse në Shkodër, kur lashë sportin, një libër të Enverit dhe ‘Axhustator i dalluar’…”/ Dëshmia e legjendës së mundjes

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Eljaz Guri nga Vraka Shkodrës, një nga legjendat e sportit të mundjes në Shqipëri për gati 25 vite me radhë, i cili u zbulua nga trajneri i njohur i ekipit “Vllaznia” Njac Lacuku, që e aktivizoi atë me ekipin e të rinjve të atij qyteti, ku në 1962-in Eljazi doli kampion kombëtar, duke mundur sportistë me emër, si Halil Stojkun “Dinamos”, etj., dhe një vit më pas ai konkurroi me ekipin e të rriturve të “Vllaznisë”, ku doli në vend të dytë dhe më pas si kampion kombëtar. Kalimi i Eljazit tek ekipi “Partizani”, pas interesimit të trajnerit të njohur Luigj Deda dhe fitoret e tij ndaj mjeshtërve të mëdhenj të mundjes shqiptare, si: Mirash Vuksanin e “Vllaznisë”, Stefan Gjeneralin, Mark Currin e Piro Kokalarin e  “Partizanit”, Asim Omurin e Sport-Klub Tiranës, Hasan Porovën e “Dinamos”, i njohur me nofkën “Kafsha”, etj. Pjesëmarrja e Gurit në aktivitetet ndërkombëtare ku ai mundi kampionët e mëdhenj të Rumanisë, Maneo Dimitru dhe Maneo Bushul, gjatë turneut që zhvilloi ekipi i tyre në Shqipëri në vitin 1970. Pjesëmarrja në Kampionatin Europian të Mundjes në Finlandë në ’72-in, ku Eljazit i’u kërkua që t’ja linte ndeshjen mundësit finlandez, pasi fitorja e tij që në fakt ishte fare e lehtë, do e çonte automatikisht në finalen për vendin e parë dhe të dytë me mundësin rus, me të cilët shqiptarët nuk pranonin të ndesheshin. Incidenti i Gurit në hotel, me mundësin rus që s’pranoi t’i jepte dorën, duke i thënë: “Ju keni tradhtuar marksizëm-leninizmin” dhe mos pranimi i dhuratave nga finlandezët, që shkonin keq me rusët. Largimi nga sporti në vitin 1985, ku në ceremoninë e zhvilluar në Stadiumin “Vllaznia”, i dhuruan një libër të Enver Hoxhës dhe në ndërmarrje, distinktivin “Axhustator i dalluar”.

Zoti Eljaz, fillimisht na thoni diçka për familjen tuaj?

Origjina e hershme e familjes sime, është nga trevat shqiptare që sot gjenden në Malin e Zi, por unë kam lindur (në vitin 1945), në fshatin Shtoj i Ri të Shkodrës. Ndërsa prej vitesh familja jonë ka banuar në fshatin Vrakë, ku unë kam kryer dhe mësimet e para të shkollës fillore dhe 7-vjeçare. Ne kemi qenë një familje e madhe (gjashte vëllezër dhe katër motra) dhe babai ynë, Seit Guri, është marrë me peshkim, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes, në punë të ndryshme të fermës bujqësore. Edhe pse siç thashë, ne kemi qenë një familje e madhe, në krahasim me të tjerët, kemi qenë në gjendje jo të keqe nga ana ekonomike, duke u konsideruar si një familje e rangut të mesëm, për nga jetesa. Në këtë ambient familjar u rrita dhe unë, deri sa u afrova dhe u aktivizova si sportist në radhët e ekipit “Vllaznia” e Shkodrës në fillimin e viteve ’60-të.

Si i kujtoni fillesat tuaja të para në sportin e mundjes?

Fillimisht unë jam marrë me sportin e atletikës (në dhjetë garësh), që kur isha nxënës në shkollën 7-vjeçare të Vrakës, me trajner, Njac Lacukun, i cili në atë kohë ishte mësues i edukimit fizik. Nga ajo shkollë kanë dalë më pas disa sportistë të talentuar, që bënë emër të madh jo vetëm me ekipin e “Vllaznisë”, por edhe në rang kombëtar, si: Millan Vaso (mbrojtës i Vllaznisë dhe i ekipit kombëtar), Dushan Vaso, Ali Hamza, Bozho Ajko, Dese Jako, etj. Atletikën, unë nuk e vazhdova më shumë se një vit, dhe shkak për këtë u bë trajneri i mundjes i “Vllaznisë”, Sul Rama, i cili më shikonte përditë, duke pritur disa nga shokët e mi që stërviteshin aty (si Dushan Vaso, Naim Pepa, Halil Gëlqerja etj.), më thirri dhe më ftoi që të futesha në sportin e mundjes. Përveç dëshirës së madhe, që unë kisha për atë sport, ai vlerësoi tek unë edhe fizikun premtues dhe kështu përfundova me mundjen, sport i cili në vendlindjen time dhe fshatrat e tjera përreth, ka pasur një traditë të hershme. Përveç mundjes, në zonën tonë janë praktikuar edhe sporte e lojëra të tjera popullore si: hedhje dhe ngritje guri e peshash të rënda, tërheqje litari, kërcime pupthi, etj., të cilat zhvilloheshin në raste festash të ndryshme. Dhe nga këto lojëra popullore, kanë spikatur mjaft nga sportistët e ardhshëm të “Vllaznisë” së Shkodrës. Edhe sot në shtëpinë tonë në Vrakë, ndodhet një gur i madh në oborr, të cilin e trashëgojmë prej më shumë se 150 vjetësh. Shumë miq e dashamirë që vinë në shtëpinë tonë, provojnë ta ngrenë, apo ta lëvizin atë gur prej të cilit ne kemi dhe mbiemrin Guri.

Cilat ishin rezultatet tuaja të para kur u afrove në sportin e mundjes?

Në vitin 1962, kam filluar stërvitjen për herë të parë me të rinjtë e “Vllaznisë”, ndërsa një vit më vonë, kam fituar të gjitha ndeshjet, duke dalë në finale me Halil Stojkun e “Dinamos”, i cili ishte kampion prej katër vjetësh. Ai më mundi me pikë dhe unë zura vendin e dytë në takimet, që u zhvilluan në këndin e lojërave “Spartak” të Shkodrës, ku pata një përkrahje nga qindra tifozë që ndoqën me interes të madh ato takime. Pas këtyre rezultateve, mua m’u akordua një trajtim ushqimor special, si sportist me perspektivë dhe në dy kampionatet e ardhshme, që u zhvilluan në Korçë, zura vend të parë.

Me ekipin e parë të të rriturve të “Vllaznisë”, kur u aktivuat?

Në moshën 19-vjeçare, kalova me ekipin e të rriturve të “Vllaznisë” (me trajner të mirënjohurin, Qazim Elbasani), dhe në kampionatin e parë, që mora pjesë zura vendin e dytë. U ndesha në parkun “Xha Tomi” me Asim Omurin e Sport-Klub Tiranës, të cilin edhe pse ishte “Mjeshtër Sporti”, e munda me tuç. Si përfundim unë zura vendin e dytë, pasi më kishte mundur me pikë, mjeshtri i madh, Eljaz Ahmeti i “Partizanit”. Gjatë këtyre takimeve unë rashë në sy të specialistëve dhe trajnerëve, ku njeri prej tyre, i madhi Luigj Deda i “Partizanit” erdhi dhe më pyeti për moshën. Më pas ai dërgoi emrin tim në Klubin “Partizani”, ku më pas më morën ushtar, në një ditë me Mjeshtrin e Sportit, Sabah Bizin.

Sa kohë qëndruat në radhët e “Partizanit” dhe çfarë rezultatesh patët atje?

Me ekipin e “Partizanit” u aktivizova për tre vjet me radhë, duke dalë kampion absolut dhe duke mundur me tuç disa nga mundësit e njohur si: Mirash Vuksanin e “Vllaznisë”, Hasan Porovën e “Dinamos”, (me nofkën “Kafsha i Dinamos”) etj. Puna dhe djersa ime në Klubin “Partizani”, u vlerësua me mjaft dekorata, fleta nderi dhe medalje të ndryshme. Por pas tre vjetësh, kur kisha bërë një emër të madh dhe kisha spikatur si sportist cilësor, më rikthyen në Klubin “Vllaznia” të Shkodrës. Shkak për këtë u bë një Flet-Rrufe, që vunë në mes të Tiranës tifozët shkodranë, të cilët i kërkonin qeverisë, që të rikthente në Shkodër disa nga sportistët më të mirë të saj, që aktivizoheshin me ekipet e kryeqytetit. Unë e kam lexuar vetë atë fletë-rrufe, ku si presion, rinia shkodrane i premtonte qeverisë, se do përfundonte para afatit të Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Siç na thanë atëhere, kjo gjë ra në vesh të kryeministrit Mehmet Shehu, i cili kishte urdhëruar: “Të kthehen urgjent në Shkodër të gjithë, me Biz e kushdo të jetë. Nuk bëjmë shaka me hidrocentralin”. Kështu pas kësaj, jam kthyer në Shkodër bashkë me Asim Belinovën, Faruk Kalleshin, Vildan Tufin etj. Nga ekipi i “Partizanit”, përfundova në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, si punëtor në brigadën e çimentimit, ku nuk e harroj përkrahjen e madhe, që më dha Sokrat Kalivopulli, të cilin e kishim drejtor kantieri.

Cila ishte karriera juaj e mëtejshme sportive me “Vllazninë” dhe sa zgjati ajo?

Me ekipin e “Vllaznisë” dola kampion edhe për tre katër vjet të tjera, duke konkurruar në peshën e rëndë, gjysëm të rëndë dhe të mesme, sipas nevojave që kishte ekipi. Në atë kohë më stabilizuan në një dhomë në stadiumin e futbollit “Vojo Kushi” (sot “Loro Boriçi”), dhe pas një viti, më hoqën nga Vau i Dejës dhe më sollën si axhustator në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Me “Vllazninë” ku unë trajtohesha me përparësi, u aktivizova rregullisht deri në vitin 1985, duke dalë herë kampion kombëtar dhe herë në vende të dyta.

Gjatë atyre viteve, kush ishin disa nga sportistët që i’u bënin konkurrencë në peshën tuaj?

Konkurrencën me të fortë e kisha me Stefan Gjeneralin e “Partizanit”, Mark Currin, Pirro Kokalarin etj.

Gjatë atyre viteve të karrierës suaj sportive, a morët pjesë në takime ndërkombëtare?

Takimin e parë ndërkombëtar e kam zhvilluar në vitin 1970 në Pallatin e Sportit “Partizani” në Tiranë, me mundësin rumun, Maneo Dimitru, të cilin e fitova me pikë. Ekipi rumun kishte ardhur në Shqipëri, për të zhvilluar një sërë takimesh miqësore me ekipet tona, në kuadrin e përgatitjeve, që ai bënte për kampionatin botëror. Pas dy ditësh, ekipi rumun erdhi në Shkodër, ku unë u ndesha përsëri me Dimitrun, të cilin e hodha në tuç për 30 sekonda. Nuk me harrohen brohoritjet dhe ovacionet e gjata të 3-4 mijë tifozëve shkodranë, që kishin mbushur shkallët e stadiumit. Pas disa ditëve, ekipi rumun shkoi në Durrës për takimet e treta dhe aty mundësi Dimitru, me kërkoi revansh. Me mirëkuptim nga të dy palët, u ra dakord që të zhvillonim ndeshjen, ku unë do konkurroja si pjesëtar i ekipit “Studenti”, dhe përsëri e munda. Në Durrës, kishte ardhur për të më ndjekur trajneri i “Partizanit”, Luigj Deda, i cili më orientonte me këshillat e tij. Pas 5-6 muajsh, ne shkuam në Bukuresht për t’ju kthyer vizitën rumunëve. Unë arrita të fitoj tre ndeshjet e para dhe humba vetëm me mjeshtrin e madh rumun, Neguc, i cili ishte nën kampion i botës. Humbja ime erdhi si pasoje e përgatitjes së pamjaftueshme psikologjike, që kisha për takime të tilla dhe ngarkesës së madhe emocionale. Ky ishte dhe takimi im i parë jashtë vendit. Rumunët erdhën përsëri për turne në Shqipëri dhe unë fitova tetë ndeshje me radhë në Tiranë, Shkodër etj. Ndeshja më e vështirë për mua ishte ajo me Maneo Bushul, i cili deri në momentet e fundit të takimit, kryesonte me pike 8 me 2. Në limitin e sekondave të fundit të ndeshjes, unë e hodha atë në tuç. Dhe gjithë stadiumi që kishte mbajtur frymën për minuta të tëra, shpërtheu në duartrokitje të forta që s’pushonin. Kjo ka qenë një nga fitoret më të bukura të jetës sime. Një vit më vonë, si kapiten i ekipit kombëtar, mora pjesë në kampionatin Evropian, që u zhvillua në Katovicë të Polonisë, ku për shkak të një dëmtimi, mund atë zhvilloj vetëm një ndeshje.

Në cilat takime ndërkombëtare keni pasur rezultatet më të larta?

Në vitin 1973 ekipi ynë kombëtar, mori pjesë në ndeshjet për kampionatin evropian, që u zhvillua në Finlandë. Në atë kampionat, pasi unë kalova tre turret e para me fitore të pastra dhe të padiskutuara, më takoi që të ndeshesha për vendet nga i treti tek i gjashti, me një mundës finlandez. Sikur unë ta mundja finlandezin, gjë e cila ishte më se e mundshme, më takonte të ndeshesha në finale për vend të parë dhe të dytë me një mundës rus. Të cilit vetëm dorën po t’i jepja në tapet në fillim të takimit, pra vetëm të paraqitesha në ndeshje, isha automatikisht nën kampion bote pas tij. Por për shkak se ekipet tona kombëtare të të gjitha sporteve në atë kohë, nuk pranonin të ndesheshin me ekipet ruse, amerikane dhe izraelite, shefat e delegacionit tonë sportiv, e udhëzuan trajnerin tim, që unë ta humbisja ndeshjen me pikë, në mënyrë që të mos ndeshesha me rusin. Por kjo gjë duhej bërë me finesë të madhe, pasi po të kuptohej, ekipi merrte dënim të madh nga federata botërore e mundjes.

Si shkoi kjo ndeshje…?!

Nisur nga kjo situatë, trajneri Ludovig Bogoi, më orientoi që unë të rezistoja me finesë dhe të humbisja me pikë të vogla, që ndeshja të fitohej nga finlandezi me rezultatin 2 me 1. Por gjatë takimit, nga që unë isha mësuar të luftoja fort dhe pa kompromis, trajneri më bërtiste dhe më kujtonte porosinë. Kjo gjë ra në sy të gjyqtarisë dhe u bë problem i madh. Gjatë banketit që u organizua me rastin e përfundimit të takimeve të kampionatit, m’u afrua trajneri rus dhe më zgjati dorën, për të më përgëzuar për ndeshjet që kisha bërë. Por sipas orientimeve që kishim, unë jo vetëm që nuk ja dhashë dorën, por duke përfituar nga rasti se dija gjuhën sllave, i thashë: Nuk ta jap dorën, se ju keni tradhtuar marksizëm-leninizmin. Gjë e cila bëri që aty të krijohej një konfuzion dhe incident i rëndë. Një mundës bullgar që ishte pranë meje, më tha: “Si është e mundur t’i thuash këto fjalë këtij rusi të madh, sa milion banorë jeni ju shqiptarët, që jeni kaq trima?!” Kur unë me krenari i thashë: ‘jemi tre milion kur hamë bukën, por bëhemi 300 milion kur kapim pushkën’, ata u larguan të habitur pa më thënë asnjë fjalë.

Shefat e delegacionit çfarë të thanë?

Shefat erdhën dhe më përgëzuan për qëndrimin që kisha mbajtur ndaj rusit. Pas incidentit aty u afrua dhe kundërshtari im rus, me të cilin bëmë debat dhe unë i thashë po të njëjtat fjalë, që i kisha thënë trajnerit të tij. Ai ishte gjeorgjian dhe nga dashuria që kishte për Stalinin, më tha: “Po, ju shqiptarët keni të drejtë”.

Kur u kthyet në Shqipëri, patët përgëzime apo shpërblime për tre ndeshjet e fituara dhe qëndrimin që mbajtët ndaj rusëve?

Me thënë të drejtën kur zbritëm në Rinas, mendoja se do dilnin për të na pritur dhe na përgëzuar shefa të lartë të Klubit “Partizani” Federatës së Mundjes etj., nga qeveria, por jo që nuk na priti njeri, por as automjet për t’u larguar nga Rinasi për në Tiranë nuk kishim. Udhëtimi im për në Shkodër, është një histori më vete dhe atë nuk e harroj, pasi m’u desh dy ditë për të shkuar pranë familjes në Vrakë. Fillimisht në Rinas i nxora dorën një “Zuku” (automjet polak) që kishte ardhur aty, për të marrë arkat boshe të arançatave dhe me atë udhëtova deri tek Zogu i Zi në Tiranë. Nga aty shkova në këmbë tek stacioni i trenit, për të kapur trenin e udhëtarëve që atëhere shkonte deri në Laç, por ai kishte ikur dhe unë u detyrova të dilja përsëri tek agjencia e automjeteve, që asokohe ishte diku më poshtë Zogut të Zi, afër Laprakës, për të gjetur ndonjë makinë për Shkodër. Pasi prita më kot disa orë aty, rastësisht takova një shok ushtrie, i cili më sugjeroi që të shkoja përsëri tek stacioni i trenit, pasi në atë orë niseshin trenat e punës për në Laç.

Shkove përsëri atje?

Shkova menjëherë dhe pa pyetur njeri, hipa në një vagon të hapur që kishte ngarkuar fuçi bitumi. Treni ndaloi në stacionin e Gjormit, disa km. pa vajtur në Laç dhe atje zbrita e dola në rrugën nacionale, për të gjetur ndonjë makinë. Nuk vonoi shumë dhe më ndaloi një kamion qymyri, ku hipa sipër në karroceri, e me të udhëtova deri në qytetin e Lezhës. Nga që nuk lëvizte asnjë makinë për në Shkodër, u detyrova dhe fjeta atë natë në hotel, ku mezi mund atë gjeja një krevat, në një dhomë treshe. Të nesërmen dola vonë në rrugë dhe me një makinë rasti sipër në karroceri, shkova deri në Shkodër, disa shokë të mi më ndaluan për drekë, duke biseduar me ta gjerë e gjatë, për ndeshjet që kishim zhvilluar në Finlandë. Aty nga pasditja gjeta një karrocë dhe me të shkova deri në fshatin tim Vrakë, të cilin e kishte mbuluar muzgu i mbrëmjes. Kur hyra në shtëpi nga ora 19.00 e darkës, baba më tha: Pse kaq vonë, gjej ndonjë vend, e pshtetu pa zhurmë, se jan tuj fjetë tan robtë e shpis”. Mezi mund atë gjeja një vend për të fjetur, pasi ne ishim 10 fëmijë, të gjithë më të rritur se unë dhe ishim shumë ngushtë në shtëpi. Jo vetëm gjatë asaj nate që nuk më zinte gjumi, por edhe gjatë udhëtimit tim në karrocerinë e qymyrit apo vagonin e trenit, sillja nëpër mend shpërblimet dhe dhurata që më kishin ofruar në Finlandë.

Çfarë dhuratash?

Pas ndeshjeve në Finlandë, erdhën dhe më takuan disa drejtues të shoqatës, së miqësisë Finlandë-Shqipëri, të cilët me ofruan si dhurata: një makinë të re “Benz” dhe disa uniforma sportive. Në atë kohë finlandezët shkonin keq me rusët dhe nisur nga qëndrimi im karshi tyre, ata donin të më shpërblenin. Por nisur nga fakti se ne sportistët shqiptarë, e kishim të ndalur rreptësisht për të pranuar dhurata, unë natyrisht që i refuzova, duke i’u thënë: faleminderit, por unë kam “Benzin” më të mirë në Shqipëri. (Në fakt unë nuk kisha as biçikletë në shtëpi). Unë pranova prej tyre vetëm disa komplete sportive dhe asgjë tjetër. Katër nga ato i mbajta për vete dhe të tjerat u’a ndava shokëve.

Në Shqipëri gjatë karrierës suaj sportive a patët marrë ndonjë shpërblim material?

Në 1986-ën, kur në pushim të një ndeshje futbolli në stadiumin “Vojo Kushi” të Shkodrës u organizua ceremonia e lamtumirës nga sporti të Faruk Kalleshit, Refik Vorfës dhe e imja, na dhanë nga një libër të Enver Hoxhës, të cilin edhe sot e ruaj në shtëpi së bashku me dekoratat dhe medaljet që Kuvendi Popullor i Shqipërisë, më akordoi në ato vite si “Axhustator i dalluar”, i Kombinatit të Drurit.

Pasi latë sportin e mundjes, u aktivizuat si trajner për të dhënë përvojën tuaj tek me të rinjtë?

Për disa vite punova me pasion si zëvendës trajner i “Vllaznisë” duke transmetuar atë përvojë që kisha tek sportistët më të rinj, si: Pauli Sterkaj, Paulin Merlaj, Seit Fishta etj., të cilët u bënë sportistë me emër jo vetëm me ekipin e “Vllaznisë”, por edhe në takimet ndërkombëtare. Më pas i’u përkushtova djalit të madh, Elisit, i cili që në moshën 23 vjeçare, prej katër vjetësh ishte kampion kombëtar në peshën 96 kg. me ekipin e “Partizanit”. Edhe djali tjetër, Saiti, është marrë me sport dhe prej disa vitesh aktivizohet me ekipin e futbollit “Vllaznia” e Shkodrës./Memorie.al