Ngjarja e Himarës, Nano kërkon të ndaj përgjegjësinë por lë pa pushime policët…

Nga Sokol Dema

Ditëve përvëluese të këtij fillim gushti ua shtoi temperaturën ndjeshëm ngjarja e Himarës. Një vogëlushe që veç po lahej me të atin në bregun e Jonit u godit për vdekje nga një i papërgjegjshëm që doli të ishte punonjës policie. Jonada e vogël e kishte të shkruar të mos kthehej më në krevatin e saj ngrohtë dhe shkak u bë dikush që në fakt duhej ta mbronte me çdo kusht. Sa ironike! Si Jonada është edhe Klodian Rasha.

Reagimi ishte i pritshëm. Opinioni publik e ngriti zërin deri në kupë të qiellit, kërkohej fajtori. Policisë së Shtetit i kishte plasur bomba sërish në sallonin e saj. Sa shumë po përsëritet kjo skenë në vitet e fundit. Duket se blutë janë të destinuar të përndiqen nga fati i keq, pa dallim drejtuesi. Arjan Tase tregoi edhe një herë tjetër se sa e brishtë vijon të mbetet kjo strukturë, sa e lënë pas dore dhe në disa raste sa jo profesioniste. Kryepolici reagoi menjëherë mbi ngjarjen. E para lëvizje ishte përjashtimi i ish-policit që kishte marrë pafajësinë në një proces gjyqësor për trafikim narkotikësh dhe më pas shkrirja totale e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Vlorë. Në një ngjarje si kjo shkarkimet ishin të pritshme, edhe pse ishim mësuar të mos lëvizte njeri në muajt e fundit, të paktën në tre raste të ndryshme, ngjarja brenda Komisariatit nr. 3, zjarri në Komisariatin nr. 5 apo ajo në Komisariatin e Kavajës, të treja me viktima.

Kontrolli me imtësi i të gjithë vijës bregdetare, dhe jo vetëm, menjëherë pas ngjarjes, për pikasjen e mjeteve lundruese të jashtëligjshme ngjan si justifikim por i pritshëm gjithashtu. E në fakt në gjithë këtë lojë Policia nuk mund të jetë fajtore e vetme dhe këtë Gledis Nano e di shumë mirë. Ka një përpjekje të dëshpëruar nga ana e tij për të ndarë tortën e fajit bashkë me gjithë ata të tjerë që janë po aq fajtorë në këtë ngjarje të paprecedentë. E tillë ishte shkresa nisur instucioneve të tjera që kanë përgjegjësi për kontrollin e skafeve, anijeve, jet skive, gomoneve e të gjitha mjeteve të tjera lundruese, përmes së cilës arrihej të dallohej qartë që Nano i donte të gjithë si pjesë të përgjegjësisë së humbjes së një vogëlusheje.

Nano ka shpërndarë edhe një tjetër urdhër, kësaj here për qindra punonjës policie që punojnë në qarqe bregdetare, të cilëve u janë pezulluar lejet e përcaktuara vjetore për t’i zhvendosur pas përfundimit të sezonit. Me pak fjalë, Gledis Nano ka vendosur të mos u japë mundësinë qindra familjeve të pafajshme policësh të mos bëjnë pushime këtë verë. Kush i mori deri në fund të korrikut ia hodhi, të tjerët le të piqen në diell. Dhe ky është vendimi më i gabuar që mund të ishte marrë ndonjëherë mbi pasojat e ngjarjes së rëndë të Himarës. Të gjithë jemi dëshmitarë të punës së rëndë të policëve të të gjitha sektoreve, orët e zgjatura në punë, protestat, eventet, zhvendosjet larg vendbanimeve dhe mangut kanë edhe atë që ua garanton Kodi i Punës, pushimet. Janë qindra fëmijë policësh që do të që privohen nga pushimet e planifikuara në gusht sepse mami apo babi duhet të shkojnë në punë për të mbrojtur detin nga bajlozët.