Nuk aprovohet propozimi i kryetares Ademi, licencimi i Vllaznisë në rrezik…

Vllaznia po zhvillon një sezon shumë të mirë dhe kryeson Kategorinë Superiore. Skuadra shkodrane ndodhet në rrugën e duhur për t’u rikthyer në kompeticionet evropiane pas një kohe të gjatë, por licencimi i klubit kuqeblu është në rrezik.

Borxhet te Vllaznia janë të shumta, teksa rreth 820 milion lekë të vjetra duhen paguar në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, dega Shkodër. Këshilli Bashkiak është mbledhur ditën e sotme.

Një nga pikat e diskutimit në mbledhjen e sotme ka qenë rishpërndarja e fondeve të bashkisë dhe synohet që 820 milion lekë të kalojnë për klubin e Vllaznisë, në mënyrë që të mbyllen detyrimet e prapambetura për sigurimet dhe tatimet.

Këshilli Bashkiak Shkodër votoi me 33 vota kundër kërkesën e kryetares Voltana Ademit për miratimin e fondit prej 820 milion lekësh për klubin e futbollit Vllaznia. Këshilltarët kanë kërkuar një detajim më të qartë për shumën që kërkohet për Vllazninë, duke refuzuar futjen në rendin e ditës të kërkesës së kryetares.

“Procedura thotë që duhet diskutuar të futet në diskutim apo jo. Relacioni pati pikëpyetje për shkak se mungon një informacion i detajuar. Bëhet fjalë për detyrimet shoqërore dhe detyrimet tatimore për klubin e futbollit Vllaznia.

Detyrimet janë të publikuara, bilancet janë të QKR. Mund t’i them nëse më jepet mundësia, nëse futet në rendin e ditës. Pyetja është a do futet në rendin e ditës, më pas flasim me detaje e shifra. Në kuadër të licencimit të Vllaznisë duhet paguar detyrimet tatimore, kemi folur për çështje teknike të marrëveshjes që duhet të firmoset.

Bashkia është e gatshme të nënshkruajë, pasi Vllaznia vetëm atë borxh ka dhe është pengesë për licencimin për të luajtur në kupat e Europës. Mendoj se duhet futur në rendin e ditës. Të dhënat i kemi nga Drejtoria e Tatimeve, mund t’ua vëmë në dispozicion. Në fund të fundit i paguajmë paratë për shtetin dhe është një e mirë për të gjithë. Them se mund ta rishikojmë vendimin për ta futur në rendin e ditës.“, deklaroi Ademi.