Paralajmërimi i Nokës: Më 8 janar demokratët marrin selinë blu, pastaj i turremi Kryeministrisë

Deputeti dhe ish-ministri Brendshëm Flamur Noka i pyetur se nëse Lulzim Basha nuk ikën nga zyrat e PD-së më 5 janar, tha se demokratët do të mësyjnë në PD dhe do ta marrin selinë blu.

Pas saj, Noka tha për “Koha Jonë” se do t’i turren kryeministrisë. “Nëse më 5 janar, deputeti Basha nuk i hap rrugë rivendosjes se demokracisë në PD, por tenton të vazhdojë ta mbajë peng PD për llogari të Ramës, atëherë më 8 janar do të thirren demokratët e Shqipërisë të bëjnë përmbaruesin paqesor të vullnetit të tyre të shprehur më datë 11 dhjetor në Kuvendin e PD-së dhe të datës 18 dhjetor me Referendum. Selia e PD-së është shtëpia e demokratëve. Askush nuk mund ta mbaj peng këtë shtëpi, sepse demokratët janë pronarët e saj. Luli është peng dhe nuk mund të mbaj peng edhe selinë e demokratëve”, ka thënë Noka.

Pra data 8 janar, sipas ish-ministrit të Brendshëm, do jetë dita kur demokratët marrin selinë blu në duart e tyre, pavarësisht se Roland Bejko i krahut të Bashës deklaroi se “do ketë mbrojtje nga ana e policinë atë ditë”.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD dhe sekretari për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin (i palës së Bashës), Roland Bejko i pyetur nëse do të jetë në zyrat qendrore të PD për ta mbrojtur kur të shkojë Berisha dhe përkrahësit e tij, tha:

“Unë roje s’jam, as gardian! Nëse sulmohet selia blu nga njerëzit e Berishës, ka kush e mbron për atë. Na mbron Policia”, deklaroi njeriu i Lulzim Bashës dje në Abc.

Pra më 8 janar do të shikojmë përfundimisht se kush e merr apo mban selinë blu, por duket se do kemi përplasje./abcnews.al