Policia e Shkodres procedon penalisht dy përsona për gjueti të paligjshme në liqen…

DVKM Shkodër/Vijojnë patrullimet në liqenin e Shkodrës, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të peshkimit me mjete të ndaluara (mekanizma elektrikë).

Goditet një tjetër rast i kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Procedohen penalisht 2 shtetas që u kapën në flagrancë duke peshkuar me mjete që prodhojnë rrymë elektrike.

Sekuestrohen një mjet lundrues dhe mekanizmat elektrikë që përdoreshin për peshkim.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, si rezultat i kontrolleve në hapësirën liqenore, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të peshkimit me mjete të ndaluara, kanë konstatuar në fshatin Kamicë, një mjet lundrues në të cilin ndodheshin 2 shtetas që po peshkonin me mekanizma që furnizoheshin me energji elektrike, të cilët janë të ndaluar për shkak të rrezikut që kanë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. H., 45 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe dhe L. Gj., 39 vjeç, banues në fshatin Stërbeq, Malësi e Madhe, për veprën penale “Peshkimi i ndaluar”.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti lundrues dhe mekanizmat elektrikë që përdoreshin për peshkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.