Presidenti i Vllaznisë ka një apel për qeverinë shqiptare

Ashtu si sektorët e tjerë, edhe sporti është në krizë të thellë nga koronavirusi. Natyrisht basketbolli edhe më shumë se futbolli për shkak të të ardhurave të pakta. Presidenti i klubit të basketbollit Vllaznia, Alban Xhaferi ka dhënë një prononcim për RTSH Sport, ku është shprehur:

“Keqardhje për të gjithë, pasi ishim në një formë shumë të mirë. Ishin bërë të gjitha përgatitjet që skuadra të konkuronte denjësisht në kampionat dhe ligën ballkanike, ku arritëm fitore me të gjitha skuadrat dhe kjo ishte një risi për sportin shkodran dhe shqiptar. Por ky ishte fati ynë dhe do të duhet ti nënshtroheni një situate të tillë.”

Ndërkohë, Xhaferi flet edhe për lojtarët e huaj, ku thekson: “Menjëherë pasi filloi gjendja e jashtëzakonshme, ne morëm masat tona duke pasur prioritet shëndetin e lojtarëve dhe sigurinë e tyre. U kemi siguruar udhëtimin për t’u kthyer në vendet e tyre.”

Më kryesorja është se presidenti i kuqebluve të koshit pret një mbështetje nga qeveria shqiptare:

“Të them të drejtën, Vllaznia ka qenë klubi me më shumë lojtarë të huaj, kuptohet që shpenzimet financiare kanë qenë të mëdha. Për këtë arsye, do t’i bëja thirrje qeverisë shqiptare që të shohë me prioritet pjesën e sportit dhe të bëjë subvencion, sepse edhe sporti ka një krizë të fortë.
Në këtë situatë të paqartë është e ështirë të bëjmë plane. Fillimisht, lusim Zotin që një situatë e tillë të kalojë sa më shpejt dhe kjo është më e rëndësishme.”