Protestat në Shkodër, reagon PS: Fytyra e vërtetë e pushtetit lokal filloi të zbulohet me protestat…

Fytyra e vërtetë e pushtetit lokal filloi të zbulohet me protestat…

Ditët e fundit protestat prekën edhe Shkodrën. Nën moton e ‘protestave qytetare kundër rritjes së çmimeve’ protestat nuk ishin asgjë më shumë se kamuflazhi i protestës së shtëpisë së lirisë.


Në radhë, punonjësit e Bashkisë Shkodër u rreshtuan në parakalim për të protestuar për mbrojtjen e vendeve të punës nesër, kur Bardh Spahia të marrë drejtimin e Bashkisë.
Në rrugë nuk ishin vetëm, sigurisht ishte edhe bashkëudhëtari i saj i betejës, LSI edhe për t’i konfirmuar njëri-tjetrit dhe qytetit që aleanca vazhdon,madje nuk kanë parë gjë akoma.
Ditën e djeshme përmes pamjeve të çdo televizioni u tregua se qytetarët nuk gënjehen nga dyshja Berisha-Meta e as nga Kryetari i ardhshëm i Bashkisë Shkodër, shkodranët treguan që nuk jua hedh kollaj.
Qeveria Shqiptare pararend pseudoprotestave kishte nisur dhe finalizoi paketën e solidaritetit me 7 pika për mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e luftës në Ukrainë.
Kur ne duhet të ishim të gjithë bashkë për të treguar solidaritet, bashkim dhe për të kapërcyer bashkë çdo krizë e çdo të keqe që na kanoset, e aq më tepër për të mbështetur Ukrainën në këtë përballje ç’njerëzore që po kalon, dyshja Berisha-Meta duan që të vazhdojnë trazirat dhe të gënjejnë e rëndojnë qytetarët e Shkodrës e Shqipërisë. Vallë ishim më të pasur kur strehuam vëllezërit tanë nga Kosova gjatë periudhës së luftës? E tani jo vetëm që nuk ka asnjë iniciativë në qytet për të ndihmuar apo strehuar familje ukrainase por për shkak të keqpërdorimit politik ne po tregojmë anën tonë më të shëmtuar si qytet e si shtet nëpërmjet qëndrimit që po mbajmë ndaj kësaj lufte, ku fëmijët po kalojnë të vetëm kufirin për ti shpëtuar vdekjes.
Teatri i djeshëm e tregoi më së miri që qytetarëve të Shkodrës nuk do i duhen 300 ditë për të kuptuar në dorë të kujt e kanë lënë qeverisjen e qytetit, mesazhi është tejet i qartë që tani.
Shkodra e kulturës, artit, arsimit, zhvillimit, solidaritetit dhe intelektualizmit nuk pranon më që të bëhet arenë përplasjesh politike dhe të keqpërdoret nga ajo forcë politike që ka pasur fatin ta qeverisë në këto 32 vite.