Qëlloi ish-gruan në hyrje të banesës, 40-vjeçarja në Vaun e Dejës vdiq në prani të babait dhe vajzës së mitur

Gjuliana Topalli, 40 vjeç mbeti viktimë mbrëmjen e sotme në fshatin Nenshat në Vaun e Dejës pasi u qëllua me kallashnikov nga ish-burri i saj.

Gazetari Bepin Kolvata na informon se 50-vjeçari Niko Hila e ka qëlluar në hyrje të banesës ku gruaja banonte me babain e saj dhe vajzën 4-vjeçare.

Mësohet se pasi ka shtënë ndaj gruas, ka qëlluar dhe veten duke mbetur i plagosur. Ky i fundit është dërguar në spitalin e Shkodrës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Dyshohet se konflikti ka ardhur pas ndarjes së tyre rreth 1 vit më parë. Ajo ka mbetur e vdekur në prani të babait dhe vajzës së saj 4-vjeçare. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes po bëjnë mbledhjen e provave për të bërë të mundur zbardhjen e vrasjes.