Rama: Pa presidentin e Türkiye-s nuk do të kishim pasur vaksina…

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në diskutimet e forumit Evropian Alpbach, në Austri, ndërkohë në fjalën e tij ai është fokusuar në çështjet rreth integrimit evropian, ndihmës dhe rolit të Türkiye-s për pandeminë, liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe çështje të tjera, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij gjatë diskutimeve në panelin me temë “Zgjimi gjeopolitik i BE-së”, Rama tha se ideja franceze e një komuniteti të ri politik evropian sot ka një potencial të madh për t’u trajtuar, shtjelluar e për t’u përdorur si një element suksesi për të krijuar diçka tjetër.

“Për disa çështje historike dhe Bashkimi Evropian shndërrohet në një katedër e pafuqishme shtetesh përballë një shteti që ka disa pretendime historike. Nuk kam kurrfarë gjëje ndaj pretendimeve historike, por kur këto çështje historike pretendohen nga politikanët, nuk ka shanse për të zgjidhur të vjetrën, por ka shanse për të krijuar probleme të reja historike”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë foli edhe për mbështetjen dhe rolin e Türkiye-s për situatën e pandemisë COVID-19, ku theksoi se pa Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, nuk do të kishin pasur vaksinat.

“Kur diskutojmë gjeostrategjinë flasim për aktorë të tretë, të cilët nuk duhet të lejohen të hyjnë në Ballkanin Perëndimor, por kur vjen fjala për një çështje jete a vdekje është Kina që shpëton mjaft jetë në Ballkanin Perëndimor, është Rusia dhe është Turqia. Pa Presidentin e Turqisë (Türkiye-s) nuk do të kishim pasur vaksinat”, tha Rama.

Kryeministri Rama foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. “Kosova u çlirua nga fuqitë e mëdha, fuqitë demokratike nga një regjim barbar. Por pa gjejeni? Nën regjimin barbar, ata mund të lëviznin lirisht nëpër Evropë. Me çlirimtarët ata janë peng, nuk mund të lëvizin lirisht. Kështu që, gjyshërit e fëmijëve që kanë lindur në Kosovën e lirë dhe që tashmë janë në moshë madhore mund të shkonin në Gjermani, të vinin në Austri, edhe të punonin. Fëmijët nuk mund të lëvizin sepse nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën”, tha Rama.

“Ne mund të ecim shumë më shpejt për të ndryshuar tërë natyrën e prodhimit tonë të energjisë. Por për këtë kemi nevojë për Arabinë Saudite për shembull. Kemi nevojë të shohim nga Lindja e Mesme. E po përmend Arabinë Saudite sepse ka një potencial të stërmadh për të krijuar bashkëpunim bazuar në vizionin e 2030 që po kështu ka të bëjë me eksportimin, pra për ta bërë Arabinë Saudite, imagjinojeni, ata janë të ulur mbi naftë e duan të bëhen të vetëmjaftueshëm në energjinë e gjelbër dhe eksportues neto të energjisë së gjelbër”, u shpreh Rama.

Në qendër të diskutimeve në Forumin Evropian Alpbach janë disa tema që lidhen me Evropën, klimën, sigurisë, financat dhe sundimi i ligjit.