Rikthehet Superiorja, Vllaznia-Dinamo të enjten…

Kategoria Superiore e Futbollit shqiptar rikthehet në mesjavë me ndeshjet e  javës së 23-të që do të luhen në mesjavë të ndara në dy ditë. Kalendari ka ofruar duele interesante, të cilat vlejnë për kreun dhe konkretisht zonën europiane, si dhe lufta për mbijetesë në Superiore. Ballafaqimet e kësaj jave nisin që të mërkurën me dy ndeshjet e planifikuara të luhen në orën 16:45.

Kryesuesit e tabelës së klasifikimit, bardheblutë e Tiranë luajnë në transfertë duke u ndeshur me Teutën pritëse.  Ndërkohë, në të njëjtën orë, 16:45, në stadiumin “Air Albania” luhet ndeshja, Partizani-Kukësi, dy skuadra që vijnë pas barazimeve të javës së 22-të. Java e 23-të e Superiores vijon më pas ditën e enjte me tre takime të tjera, dy të parët, Laçi-Egnatia dhe Kastrioti-Skëndërbeu, të planifikuar për në orën 13:45, si dhe dueli i fundit që mbyllë kalendarin e kësaj jave, Vllaznia-Dinamo i cili do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 16.45.

Në dy duelet që do të luhen në Laç dhe Krujë, krahas kurbinasve që kërkojnë të mbeten në vendin e dytë, tre skuadrat e tjera, Egnatia, Kastrioti dhe Skënderbeu kanë ndeshje që u duhen patjetër pikët e mbijeteses. Sa i përket çiftit, Vllaznia-Dinamo që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, duhet thënë se përballen dy skuadra tradite, ballafaqimi i të cilave ka dhuruar përherë emocione.

E tillë ka qënë edhe ndeshja e fazës së parë, ku kuqeblutë fituan me rezultat të thellë 6-3. Të dyja skuadrat vijnë pas barazimeve të javës së kaluar, blutë 0-0 me Partizanin dhe Vllaznia 2-2 me Skënderbeun në transfertë. Kuqeblutë që mbajnë vendin e katërt në renditje me 35 pikë do të kërkojnë tre pikëshin e qëndrueshmërisë në zonën europiane, ndërsa për miqtë dinamovitë, pikët, nëse do të arrijnë t’i marrin vlejnë për t’iu larguar zonës së ftohtë të fundtabelës së klasifikimit.