Shkarkohet drejtori i policisë Shkodër, Niko Brahimaj….

Gjovalin Loka, drejtori i Sigurisë Publike u bë “kurbani” i parë i ristrukturimit të Policisë së Shtetit, proces që nisi një javë më parë. I liruar nga detyra, newsbomb.al mëson se dje Loka ka marrë një detyrë të re, ai është emëruar Drejtor i Policisë së Elbasanit.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, ristrukturimi do të prekte të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe. Gjithashtu, nga detyra është liruar dhe kryepolici i Shkodrës Niko Brahimaj. Ky i fundit, mesa duket e ka pasur “të justifikuar” ikjen nga detyra pas ngjarjes së rëndë në Velipojë, ku u vranë 4 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.

Ndryshime kanë ndodhur dhe në qarqet e tjera të vendit, të cilat newsbomb.al do t’i përcjell në vazhdim.

Edhe Kukësi është përfshirë në procesin e ristrukturimit. Drejtori Alban Çela është liruar nga detyra dhe vendin e tij e ka marrë Hamdi Fiore. Ky i fundit do të jetë tashmë Drejtor i Policisë së Kukësit.

Lëvizje edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Nëndrejtori Skënder Hita është me firmë të Kryepolicit Ardi Veliu është emëruar Drejtor në Policinë e Shkodrës, duke zënë këtë vendin e Niko Brahimajt, mëson newsbomb.al.

Po ashtu, edhe Qarku i Vlorës i cili ka qenë kohët e fundit në fokus të ngjarjeve kriminale, me vrasje dhe plagosje të eksponentëve të krimit dhe personave me precedent, është përfshirë në procesin e ristrukturimit.

Drejtori Artion Duka është liruar nga detyra dhe në vend të tij në krye të Policisë së Qarkut është emëruar Ardian Çipa, shkruan newsbomb.al. Ky i fundit emërohet në këtë detyrë dhe si një prej drejtuesve të Policisë që kanë kaluar me sukses vettingun.

Në shkurt 2021, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit në Polici konfirmoi në detyrë Ardian Çipën. Trupa e vlerësimit nuk evidentoi asnjë problem në tre kriteret e vlerësimit – aftësitë profesionale në atë të pastërtisë së figurës dhe pasurisë.

Çipa së fundmi ishte përgjegjës i Departamentit në Drejtorinë e Formimit të Vazhdueshëm, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë.