Shkarkohet kryeprokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj: Vendim politik dhe në kundërshtim me ligjin…

Ka marrë fund procesi maratonë për kryeprokuroren e Tiranës, Elizabeta Imeraj.

Kolegji i Posaçëm i Apelit vendosi sot shkarkimin e saj nga detyra si prokurore.

Vendimi u mor nga trupa gjyqësore e përbërë nga Ina Rama, Rezarta Schuetze, Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Sokol Çamo. 

Duke folur për mediat pas vendimit, Imeraj e konsideroi vendimin ndaj saj politik dhe në kundërshtim me ligjin.

Imeraj: Pas vendimit të KPA ndihem e çuditur. Është një vendim në kundërshtim me procesin e rregullt ligjor. Është një vendim copy paste i rekomandimit të ONM pa marrë parasysh asnjë lloj pretendimi të paraqitur nga ana ime që nga mesi i vitit 2018 dhe deri në senacën e fundit dëgjimore në KPA në 20 prill 2022. Ajo që pretendohet nga reforma në drejtësi është që zëri i secilës palë në proces të jetë i dëgjueshëm, faktet, provat dhe ligji të jetë bazueshmëria në dhënien e një vendimi.

Në KPA jam drejtuar me pyetje konkrete:Kush e dëshiron shkarkimin e Elizabeta Imeraj? Vetëm kjo përgjigje nuk u dha në vendimin e  sotëm. Shpresoj se do ta kem të arsyetuar se kush e dëshiron shkarkimin e Elizabeta Imeraj nga sistemi i drejtësisë. Elizabeta Imeraj ka zero pasuri në pronësi dhe bashkëpronësi në territorin e Shqipërisë dhe jashtë saj. Do ju vë në dispozicion çdo akt në dosje që lidhet me elementë që kanë të bëjnë me figurën, personat e lidhur  apo Elizabeta prokurore e Shqipërisë… ishte.

Së treti, puna ime në 17 vite ka folur më së miri se në çfarë mënyrë është kryer puna e prokurorit të Shqipërisë dhe rezultatet e marra prej tyre. Më shumë se 160 të pandehur janë dënuar me formë të prerë dhe vetëm 3 prej tyre kanë marrë pafajësi. Rezultati në raport me atë çfarë KPA vendosi është disproporcional.

Imeraj tha se ajo çfarë reforma në drejtësi synon është krijimi i një sistemi të drejtësi të pavarur, që tejçon besimin te publiku.

Imeraj: Te ai publik që mendon se secili jep vendimin e tij të bazuar në ligj, prova dhe fakte pavarësisht se sa është tensioni, presioni, ndikimi i raporteve politike, ekonomike, kriminale apo dhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët emocionalisht mund të mos jenë ndjerë rehat në një proces rivlerësimi për shkak të letrave anonime të futura në të.Jam munduar gjatë këtij procesi që në shkallë të parë, por dhe në KPA, të prezantoj jo për veten time, jo për  familjen time dhe fëmijët e mi por mbi të gjitha për të gjithë ju dhe publikun shqiptar, të vë në dispozicion akte, fakte dhe prova, të cilat dëshmojnë në mënyrë të qartë që ky proces ka qenë i afektuar që në fillimet e tij për shkak dhe të faktit të lidhur ngushtësisht me futjen e kartelave apo dokumentacionit të pasurisë të falsifikuar, pranimit dhe bërjes si burim prove të deonocimeve anonime me emra të tillë si Rrahim Shehu apo Valentino Imeri. Nëse reforma në drejtësi, qëllimi i saj, aplikimi i saj, ajo çfarë duam prej saj, është të bazohemi në denoncime anonime apo dokumentacione të falsifikuara, atëherë është e vërtetë: Elizabeta Imeraj duhet të shkarkohet!

Një premtim për tu mbajtur

Imeraj paralajmëroi se vendimin do ta ankimojë në instanca të tjera.

Imeraj: Një vëzhgues ndërkombëtar përmendi në seancën time dëgjimore që fryu një erë e lehtë dhe më solli një vendim gjykate.  Unë isha prokuror dhe nuk mund të sillem ndryshe nga të qenit prokuror, bazohem në fakte dhe prova. Unë besoj në çdo proces të rregullt që bazohet në ligj, fakte dhe prova.

Atë jam munduar të zbatoj në punën time në vite, atë jam munduar të marr si edukatë nga prindërit dhe atë jam munduar tu sjell si edukatë dhe fëmijëve të mi. Patjetër që do ti drejtohemi instancave të tjera në mënyrë që premtimi i dhënë dy fëmijëve të mi, që normalisht ka një gjykatë që jep drejtësi, të mbahet dhe të mos jemi në këtë situatë.

Historia e mësueses në Tropojë që u burgos nga Sigurimi i Shtetit

Imeraj: Në KPA kam bërë me dije se në aktet e dosjes në KPK një ndër shkaqet e ankimit nga Komisioneri Publik është një kartelë pasurie e falsifikuar, e nxjerrë dhe e lëshuar në emër të subjektit të rivlerësimit Elizabeta Imeraj. Nga Kadastra është kthyer një përgjigje konkrete që ky akt nuk rezulton të jetë lëshuar ndonjëherë prej tyre dhe Elizabeta Imeraj nuk ka prona në pronësi apo bashkëpronësi gjatë gjithë jetesës së saj nga mosha 1 vjeç dher deri sot që bëra 43. Nisur nga kjo kam paraqitur pretendimin për ekzistencën e një dokumenti të falsifikuar.

Në mënyrë të çuditshme nga KPA por dhe në pyetjet direkte të bërë Komisionerit Publik nuk është mbajtur asnjë qëndrim. Edhe OMN ka paraqitur një sërë gjetjesh në sajë të të cilave ka kërkuar përshtatshmëri, papërshtatshmëri, elementë të tjerë sipas pretendimeve. Në tre prej këtyre gjetjeve është paraqitur si dokument prove denoncimi anonim i Rrahim Shehut. I kërkoj ndjesë çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë që konkretisht janë 6 sipas kërkimeve të mia që kanë emrin Rrahim Shehu, pasi asnjëri prej tyre nuk rezulton të jetë ky denoncues.

Arsyeja pse është shtyrë vendimmarrja për mua në KPK në 26 mars 2021 është emaili i dërguar një denoncues anonim tjetër ku sipas të dhënave të marra nga regjistrat e gjendjes civile nuk ka një shtetas me emër të tillë, Valentino Imeri. Ky denoncim anonim nga ana e vëzhguesit ndërkombëtar i është dërguar për hetime të mëtejshme SPAK dhe ILD. Në përfundim  të dy procedurave verifikuese të gjitha pretendimet e ngritura në këtë denoncim anonim nuk kanë rezultuar këto rrethana me përmbajtjen e prezantuar në të.

Më vjen në mendje një histori e 1974 në Tropojë ku Sigurimi i Shtetit burgoste një mësuese, Rukie Ramja, për agjitacion, propagandë dhe akuza të tjera. Dy dëshmitarë të rremë dhe një denoncim  anonim. Dhe në atë kohë, sistemin monist, e nderuara zonja Ramja pavarësisht se vuajti për disa vite me radhë burgimin e tmerrshëm të asaj kohe, arriti të merrte pafajësinë. Nëse reforma në drejtësi e vitit 2022 ka si shëmbëlltyre kthimin në vitet e mëparshme, 1974, atëherë po, Elizabeta Imeraj e meriton të shkarkohet.

Dje ishte në një operacion antidrogë, sot nuk është më prokurore

Imeraj: Dje isha në një operacion antidrogë, falenderoj të gjithë punonjësit e policisë Tiranë për përkushtimin. Në këto vite pune si drejtues i prokurorisë së Tiranës gjej vendin të bëj me dije ngarkesën e madhe që kanë prokurorët e kësaj prokurorie për shkak dhe të shkurtimit të tyre nga procesi i vettingut.

Mbrojtja me avokat të huaj dhe vettingu si “gjueti shtrigash”

Imeraj: Do të doja ta gjeja të pasqyruar dhe të arsyetuar në vendimin e arsyetuar të KPA kush e ka dëshiruar shkarkimin e Elizabeta Imeraj nga sistemi i drejtësisë. Sapo të kem një dijeni të tillë nuk do të hezitoj ta bëj me dije. Unë kam zgjedhur të mbrohem në këtë proces me një avokat të ardhur nga Strasburgu jo për efekt të mosrealizimit të një mbrojtje efektive nga ana ime por për të ngritur dhe pasqyruar nivelin përfaqësues dhe prezantues të organeve tona të reja të rivlerësimit në kuadrin e një procesi të rregullt ligjor sipas normave ndërkombëtare.Është e papranueshme për mua si prokuror që ndodhur përballë fakteve, dokumentacionit të prezantuar si të falsifikuara para organeve të tilla të rëndësishme mungesa e reagimit karshi elementëve të tillë.

Kush dhe pse ka qenë e nevojshme administrimi në dosjen time në shkallë të parë duke shërbyer dhe si interpretim për një nga shkaqet e ankimimit kartela e pasurisë në emër të Elizabeta Imeraj. Elizabeta Imeraj ka zero pasuri në pronësi dhe bashkëpronësi. Nuk ka asnjë element dyshues që lidhet me figurën as të personave të lidhur. Nuk mund të themi se jemi të përsosur, jemi munduar të përsosemi gjatë viteve. Jemi munduar të përballemi me çështje të mëdha, i kemi përfaqësuar ato.

Do ta konsideroj jo shumë të pranueshme faktin jo emocionalisht të lidhur me shkarkimin tim, por faktin që procesi i vettigut të mos shndërrohet në gjueti shtrigash për asye dhe mosarsye pasi dikush mund të mos e dëshirojë Elizabeta Imeraj si drejtuese e prokurorisë së Tiranës apo dikush mund të mos e dëshirojë Elizabeta Imeraj si prokurore e Republikës së Shqipërisë.

A ja vlejti?

Imeraj: Kam filluar prokurorinë në vitin 2004, kam punuar si prokurore për 17 vite. Nuk e kam parë asnjëherë të shkëputur një çështje nga një çështje tjetër, nëse kanë qenë duke u hetuar grupe kriminale, grupe terroriste, trafikime, shtrëngim për dhënie pasurie. Nuk i kam ndarë veprat penale të hetuara në më të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme sepse janë cënuar marrëdhënie juridike konkrete dhe detyra ime funksionale ishte të hetoja. Nuk mund ti përgjigjem pyetjes a ja vlejti? Unë jam e bindur, siç u premtova në mënyrë të padrejtë por që duhet ta mbaj premtimin, fëmijëve të mi kur u nisa sot për në punë, që e vërteta absolute gjithmonë triumfon.