Shkodër/ Arrestohen dy vëllezërit Doçaj që mbetën të plagosur mbrëmjen e djeshme, shkëmbyen zjarr me atentatorin…

Shkodër/ Vihen në prang dy vëllezërit Doçaj që mbetën të plagosur mbrëmjen e djeshme gjatë një konflikti me armë zjarri.

Shpallet në kërkim autori i plagosjes së dyfishtë me armë zjarri.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Bardhaj, në përfundim të veprimeve të para hetimore u  bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. D., 26 vjeç dhe H. D., 31 vjeç,  banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi B. P., 29 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër.

Nga veprimet hetimore rezultoi  se:

Më datën 20.03.2021 rreth orës 19.30, në fshatin Bardhaj Shkodër,  gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasit M. D. dhe H. D. kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit B. P. i cili i është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri automatik,  ku për pasojë mbetën të plagosur jashtë rrezikut për jetën  dy vëllezërit ndërsa shtetasi B.P.,  u  largua  nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B.P.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar  prova materiale që shërbejnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes si dhe mjeti tip Audi, i shtetasit M.D.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër në ngarkim të shtetasve M. D. dhe H. D. për veprat penale “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, ndërsa për shtetasin B. P. për veprat penale të “Vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”, dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.