Shkodër/ Derdhja e ujërave të zeza po shkatërron lumenjtë…

Pamjet e derdhjes së ujërave të zeza pranë lumenjve që të ofrohen në mes të ditës dhe askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë. Përveç erës së rëndë dhe rrezikut që sjellin papastërtitë përgjatë shëtitores së Molos, ujërat e zeza që derdhen në lumin Buna duke u shpërndarë edhe në ujërat e liqenit janë duke ndotur ndjeshëm këtë liqen

Me situatën e krijuar aktualisht, një sipërfaqe e konsiderueshme që laget nga ujërat e lumit Buna është kthyer në një moçal të vërtetë ku gjen gjithçka ndotëse.

Ujërat e zeza të qytetit të Shkodrës shkarkohen vetëm pak metra larg urës së vjetër të Bunës duke ndotur gjithë bregun e fshatrave të Nënshkodrës, që shrihen në të dy anët e lumit, në një gjatësi prej rreth 40 kilometrash. Prej 25 vitesh autoritetet vendore por edhe ata qendrore, kanë përsëritur premtimin për ngritjen e një impianti të pastrimit të ujërave të zeza të qytetit për të shmangur ndotjen e Lumit Buna. Ky projekt i hartuar nga Bashkia e Shkodrës me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim vijon të mbetet në letër megjithëse së fundmi u premtua se në vitin 2021 do të niste zbatimi i tij. Ka  rreth 25 vite që lumi Buna nuk ka ndjerë asnjëherë ndërhyrjen për pastrimin apo thellimin e shtratit duke e rënduar së tepërmi situatën, në këtë ligatinë tepër të rëndësishme për Shkodrën, por në të ardhmen edhe për rajonin.