Shqipëria heq karantinën për shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë…

Shqipëria ka vendosur heqjen e karantinës për shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e cila ishte në fuqi për një periudhë dyjavore, ndërkohë disa masa të tjera do të mbeten në fuqi.

Komiteti Teknik i Ekspertëve në një konferencë për mediat ka publikuar vendimet e fundit, pas vlerësimit të situatës në lidhje me koronavirusin e ri (COVID-19).

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, duke bërë të ditur vendimet e reja tha se ky komitet ka bërë një vlerësim të situatës në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi.

“Nisur nga situata epidemiologjike në vend, Komiteti i Ekspertëve ka patur një mbledhje ditën e sotme dhe ka rivlerësuara masat e marra disa javë më parë. Ka bërë një vlerësim të situatës në dy vendet fqinje, në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi, ku në dy javët e fundit vihet re edhe një tendencë e uljes së infektimeve. Ka vendosur heqjen e masës së karantinës 14 ditore me Greqinë dhe Maqedoninë Veriut“, u shpreh Manastirliu.

Ajo tha se me kërkesë të ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të lejohet hapja e auditorëve të universiteteve vetëm për procesin e konsultimeve dhe sezonin e provimeve.

Manastirliu konfirmoi se do të vijojnë të mbeten në fuqi masat e tjera. Në fuqi do të mbeten masat si kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe aktivitetit të restoranteve nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit dhe ndalimi i grumbullime masive.

“Situata do të vijojë të monitorohet në dinamikë. Do të ketë një vlerësim periodik të masave, bazuar gjithmonë në indikatorët epidemiologjikë”, theksoi Manastirliu.

Në ditët e fundit në Shqipëri është regjistruar një trend i uljes së rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 131.327 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 2.402 persona kanë ndërruar jetë dhe 112.626 janë shëruar.