SPECIALE/ “Revolucioni” i janarit, të gjithë për të rrëzuar Vllazninë…

Merkatoja e janarit 2021 ishte më e çuditshmja dhe ndoshta më e bujshmja e dekadës së fundit sa u përket transferimeve dimërore. Një revolucion i vërtetë… U afruan lojtarë të rëndësishëm, ndryshuan trajnerët dhe vazhdojnë të kërkojnë ende për ndonjë goditje të minutës së fundit. Po përse? Natyrisht, shpjegimin e gjejmë te zhbllokimi i Partizanit nga FIFA, që solli emra të rëndësishëm si Ferhan Hasani, Stenio Zhunior dhe Valentino Murataj.

Por jo vetëm. Tirana gjithashtu veproi fuqishëm duke u kundërpërgjigjur me Taulant Seferin, Tim Vairinen dhe Joselin Behiraç. Madje ndryshoi edhe trajnerin, teksa sot timonin e ka Orges Shehi. Aktiv edhe Kukësi, ndonëse “blerja” më e bujshme ishte ajo e Mirel Josës në stol. Afrimet e mbrojtësve Rolandas Baravikas dhe Numan Kurdiç, si dhe marrëveshjet që pritet të zyrtarizohen me mesfushorin Mate Tsintsaxe dhe sulmuesin Ivan Mamut, qartazi konfirmuan edhe një herë ambiciet e Safet Gjicit edhe për këtë sezon.

Teuta, ashtu si edhe në verë, u tregua e kujdesshme, por nuk munguan lëvizjet. Sebino Plaku shton konkurrencën në sulm, ndërsa Xhekson Ferriera është një emër i afirmuar në kampionatin tonë, teksa vjen pas një eksperience në Kosovë me Gjilanin. Nga skuadrat e zonës së sipërme të tabelës, vetëm Laçi qëndroi pasiv, por me një arsye të fortë, pasi e ka grupin të kompletuar. Gjithsesi, pyetja është pse kaq shumë investime për lojtarë me peshë, kur Vllaznia është shkëputur me 9 pikë larg Partizanit dhe Teutës që janë ndjekësit më të afërt?

A nuk mundet që për Europën ekipet e tjera të konkurronin me kontigjentin që kishin? Ka shumë të ngjarë që shumica prej nesh të thotë “po”, por edhe ashtu siç ishin mund të luftonin denjësisht me njëri-tjetrin për një vend në Europë apo për Kupën e Shqipërisë. Por kleçka është pikërisht tek ëndrra e madhe që kanë të gjithë pretendentët dhe që quhet “TITULL”. Pra, të gjithë po përforcohen me shpresën se Vllaznia mund të rrëzohet dhe gara për titull do të rihapet shpejt…

PARTIZANI

Një skuadër që kishte humbur nga sezoni i kaluar Lorenc Trashin dhe Bruno Telushin ndodhet në vendine dytë pa blerjet e fundit. Pse duhej një sforco kaq e madhe me Hasanin, Zhuniorin dhe Muratajn?

Pikërisht për t’i shtuar cilësitë dhe personalitetin e duhur një skuadre që ëndërron titullin kampion. Daja e proklamoi objektivin e madh që në fillim të sezonit dhe me gjithë vështirësitë gjatë muajve që nuk bënë dot merkato, asnjëherë nuk ka hequr dorë nga trofeu më i rëndësishëm.

TIRANA

Dakord, 16 pikë janë shumë. Po, vërtetë shumë. Por nëse ka një ekip që i përmbys gjërat, që e kanë frikë të gjithë kur merr superxhiro, ajo është Tirana. Shembullin më të freskët e dhanë sezonin e kaluar kur ndërruan trajnerin dhe më pas fituan derbin, duke bërë praktikisht një mrekulli. Seferi është një blerje e bujshme, por edhe Vairinen, që vjen si një sulmues i kampionëve të Finlandës, Helsinki.

Behiraçe mbetet për t’u parë. Ndërkohë që janë rikthyer Kale dhe Çelhaka, shumë të rëndësishëm sezonin e kaluar në rrugën drejt triumfit. E sikur të mos mjaftonte kjo, u bë një sakrificë e jashtëzakonshme që të zhbllokohej merkatoja për një gjyq të humbur në FIFA dhe pati një kosto prej 344 mijë eurosh.

Pyetja që të vjen ndërmend është: Tirana i bëri gjithë këto investime vetëm për vendin e dytë ose të tretë? (Në Kupë janë eliminuar). Mision i vështirë edhe për trajnerin Orges Shehi, por i njeh trofetë dhe e di se si mund të fitohet në kampionatin tonë.

KUKËSI

U kalua si nën zë zëvendësimi i Hallaçit me Josën, por është një sinjal i qartë se Gjici kërkon garanci për investimet që kanë bërë. Trajneri u ndryshua pikërisht pas dy fitoreve radhazi.

Jo vetëm kaq, erdhën edhe përforcime në mbrojtje dhe repartet e tjera. Më realisti në kampin kuksian është sërish Josa, që thotë se nuk është i çmendur të flasë për titullin në këto pozita. Por futboll është. Pastaj, një trajner rekordmen si ai, mund të bëjë çudira nëse ka kontingjentin dhe kushtet e duhura për të garuar deri në fund dhe fituar.

TEUTA

Ka vazhdimisht një problem me golin dhe është disi e paqartë në mesfushë. Por mbetet aty, madje një skuadër e rrezikshme sepse nuk e lexojnë dot asnjëherë. Shfaqet jashtëzakonisht e fortë kur është keq, por lë pikë atëherë kur mendon se e ka të fituar ndeshjen. Kanë një grup të konsoliduar dhe një trajner që punon shumë me këta djem. Së fundmi kanë marrë edhe Xheksonin, duke blinduar krahun e majtë.

Nëse do të ishte vetëm për pjesëmarrje në Europë, Hasanbelliu dhe Bardhi do të ishin kursyer gjatë janarit, por me sa duket kërkojnë një skuadër që funksionon. Mbi të gjitha Teuta e ka grupin të konsoliduar dhe ndonjë lëvizje e bujshme mund të kishte prishur ekuilibrat.

PANORAMASPORT.AL