Stërvitja në Portugali, Izmir Smajlaj synon të ngrejë sërish flamurin në Beograd…

Stërvitje me më të mirët, me synimin që të bëhet më i miri. Izmir Smajlaj përfundoi përgatitjet në Portugali, ku punoi me ekipin e Kubës në kërcim së gjati dhe me trajnerin Daniel Osorio.

Njeriu që ka stërvitur kampionin e botës për salla të mbyllura Juan Miguel Echevarría, duke e ndikuar që të realizojë edhe kërcimin e jashtëzakonshëm me 8 metër e 83 centimetër ka vlerësime maksimale për kampionin shqiptar.

“Jam shumë i kënaqur që po punojmë edhe me Izmirin, i cili është një djalë për së mbari, ashtu si edhe trajneri i tij. Po përgatitemi për Olimpiadën 2024 në Paris. Mendoj se do të realizojë kërcime të mira edhe në aktivitetet e këtij viti. Izmiri është gati për mitingun në Metz dhe për Botërorin e sallave të mbyllura në Beograd. Skuadra e Kubës është e lumtur që punoi së bashku me Izmirin dhe trajnerin e tij. Është një eksperiencë e mirë, sepse kemi mësuar shumë nga njëri-tjetri”, u shpreh Daniel Osorio, trajner i Kubës në kërcim së gjati.

Izmir Smajlaj synon që ta ngrejë sërish flamurin shqiptar në Beograd, pas titullit KampionEurope për sallat e mbyllura në vitin 2017.