Topalli tregon në Debat dy sfidat e Sali Berishës…

Për Jozefina Topallin, Sali Berisha është përballë dy sfidave. Ish-nënkryetarja e PD u shpreh se Berisha duhet të arrijë mazhorancën brenda partisë dhe të hapë procesin që të mos përsëritet më një fenomen si Lulzim Basha, ashtu siç e quajti ajo.

“Unë besoj se Berisha ka dy sfida. Së pari, të arrijë mazhorancën brenda forcës politike, e cila do të verifikohet më datën 11. Duke realizuar shumicën mbyllet një fazë shumë e rëndësishme, ndryshimi i statutit, vendosja e disa mekanizmave garancie që situata të ndryshme të mos përsëriten më, pasi problemi nuk është emri i Bashës, por fenomeni që mendon se është zot i asaj force politike. Sfida e dytë, ai duhet të demonstrojë që është i aftë dhe do të bëjë një hapje procesi, ku do të demonstrohet se vota është votë dhe numërohet, se forumet duhet të jenë serioze dhe që çdo gjë duhet të realizohet përmes mazhorancave”.

Për Topallin, eksperienca e ka maturuar shumë Berishën nga ajo që ka qenë një regres gjatë këtyre viteve.

“Berisha ka një eksperiencë të jashtëzakonshme. Kur mendoj se pas 3 dekadave, ne jemi shumë më keq sesa kemi qenë në dekadën e parë, kjo është e trishtueshme. Ndaj dhe audienca shumë e surprizuar dhe të gjithë janë të hutuar edhe nga e majta. Kjo që po ndodh tregon se nuk është vrarë nervi brenda shoqërisë sonë për të reaguar kur sheh se po ndërtohet një lider autokratik”.