Vaksinimi masiv, Manastirliu tregon objektivat: Synojmë 15 mijë vaksinime…

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastiliu në një dalje për mediat mbrëmjen e sotme, tha se nga nesër do të vijojë vaksinimi masiv i popullatës.

Ministrja bëri me dije se përgjatë sheshit “Skënderbej” janë ngritur stenda ku do të kryhet vaksinimi dhe shtoi ndër të tjera se edhe qytete të tjera të vendit janë të gatshme për ta nisur këtë proces.

Sipas Manastirliut objektivi është që të arrihet deri në 15 mijë vaksinime në ditë.

Ndërkohë që ditën e nesërme në të gjithë territorin e vendit qytetarëve do t’u injektohet vaksina kineze “Sinovac”.

Manastirliu ka treguar në një lidhje të drejtëpërdrejtë edhe hapat që duhet të ndjekin qytetarët për vaksinimin.

“Do të fillojë procesi në sheshin Sëknderbej, ndërkohë që do të vazhdojë në të gjithë vendin. Objektivi ynë është të kryejmë 10 mijë vaksinime në ditë. Tashmë që kemi kryer më shumë se 50% të numrit të mësuesve, pedagogëve, ku po vijon procesi i vaksinimit, shtrihet në popullatë, ky proces do të dirigjohet nga mjeku i familjes.

Do të bëhen lajmërime për qytetarët se cili do të jetë ora e vaksinimit, data. Ftojmë qytetarët të lidhen me mjekët e familjes. Ndërkaq, që ky proces ka nisur për të moshuarin janë vaksinuar 10 mijë të moshuar + 85 vjeç. Në të gjithë vendin janë shpërndarë vaksinat Sinovac, të cilat janë shumë të lehta në përdorim, janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore dhe ky vaksinim do të nisë ditën e nesërme. Jo vetëm në Shkodër, por edhe Berat, Vlorë edhe qytete të tjera do të jenë gati për të kryer vaksinimin. Edhe aty kur nuk janë ngritur këto qendra do të ngrihen, për të vijuar vaksinimin. Objektivi është që të arrihet deri në 15 mijë vaksinime në ditë”, tha Manastirliu./Opinion.al