VIDEO/ Nis rikonstruksioni i xhamisë së “Plumbit” në Shkodër…

Në xhaminë e Plumbit në Shkodër, monument kulture dhe një objekt që i mbijetoi shekujve u zhvilla falja e fundit këtë të premte sepse kjo xhami do t’I nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Pjesë e projektit është edhe mbrojtja nga përmbytjet e herë pas hershme. Myftiu i Shkodrës imam Muhamed Sytari u shpreh se punimet që pritet të nisin këto ditë janë një premtim i mbajtur nga Presidenti turk Erdogan.

Myftiu i Shkodrës iu përgjigj nënkryetarit të parlamentit shqiptar Agron Gjerkmarkaj lidhur me debatin për shaminë e vajzave në shkolla duke hedhur poshtë pretendimet se shamia islame i shërben qarqeve serbe dhe i bëri apel Gjerkmarkajt dhe të gjithë politikanëve dhe akademikëve të tjerë ateistë që të heshtin.

Punimet në xhaminë e Plumbit në Shkodër do të zgjasin për 10 muaj ku kryesore është ndërhyrja për mbrojtjen e saj me një digë e cila nuk do lejojë më përmbytjen në atë monument kulture. Më 16 nëntor të vitit 1990 në xhaminë e Plumbit u zhvillua falja e parë pas ndalimit të fesë për 45 vite me radhë nga regjimi komunist duke i hapur kështu rrugë rikthimit të besimit islam në Shqipëri.