Vllaznia barazim 0 me 0 në transfertë ndaj Tiranës kryesuese…

Në barazim 0 me 0 është mbyllur ndeshja, Tirana-Vllaznia, takim ky i luajtur pasditen e sotme për llogari të javës së 12-të të Kategorisë Superiore. Ashtu siç kanë emrin, traditën dhe historinë, por edhe pozitat në tabelën e klasifikimit, me bardheblutë kryesues dhe kuqeblutë të tretët, të tillë janë sjellur edhe në fushën e lojës.

Një ndeshje që i kishte të gjitha brenda përpos golit, që fatkeqësisht nuk erdhi në asnjërën portë, edhe pse rastet ishin të panumërta për të dyja portat respektive. Ritëm i lartë, luftë e fortë sportive gjatë të gjithë harkut kohor të 90-të minutave të lojës duke mbajtur në ankth tifozëritë e të dyja skuadrave që i mbështeten fuqishëm në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi”.

Me atë çfar u dha në fushën e lojës, Vllaznia duhet thënë se humbi dy pikë në “Selman Stërmasi”, pasi për hirë të së vertetes, e kërkoi më me ngulm dhe dëshirë golin e avantazhit duke mos menduar asnjëherë për barazimin.

Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe Tirana e kërkoi dhe e synonte golin e avantazhit, dhe sidomos në të 86-tën minutë me një gjuajtje diagonale të Xhixhes brenda zonës së kuqebluve që shkoi krejt afër pingules së majtë të Bekajt. Por, pas këtij rasti, ishte goditja tjetër diagonale e Jonuzit në kohën shtesë që për pak sa nuk përfundoi në rrjetë.

Por, më së shumtmi, duke shkuar tek ajo që është vendosur edhe në titull të shkrimit, ku Vllaznia humbi dy pikë në kryeqytet, mund të konfirmohet edhe në atë që përpos nxitimit të kuqebluve për të sulmuar portën vendase në kërkim të golit të avantazhit, bardheblutë, sidomos në kohën shtese, u duk se po kujdeseshin më shumë për të mbajtur në fuqi rezultatin 0-0.

Barazim ky që i mban skuadrat në të njëjtat pozita me tre pikë diferencë nga njëra tjetra, Tirana në kuotën e 22 pikëve dhe Vllaznia, 19-të. Moment ky i favorshëm për të përfituar Partizani, i cili duke qënë në kuotën e 19-të pikëve, luan nesër në stadiumin e tij të ri të klubit të kuq ndaj Bylisit./Veriusport/