Vllaznia bën tri ndryshime, Brdariç do fitoren e radhës: Marrim më të mirën edhe ndaj Skënderbeut

Vllaznia luan sërish në shtëpi dhe këtë herë pret Skënderbeun të dielën në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Fitorja ndaj Partizanit ka lënë edhe pasoja në kampin shkodran, pasi kapiteni Erdenis Gurishta dhe mesfushori Ardit Krymi janë të pezulluar për shkak kartonësh dhe do të mungojnë kundër Skënderbeut.

Nisur nga fakti që dy titullarë nuk do të jenë të gatshëm, natyrisht që trajneri Tomas Brdariç do të bëjë ndryshime të detyruara në formacion, por lajm i mirë për të është rikthimi nga pezullimi i sulmuesit kryesor, Ante Aralica. Në seancat e ditëve të fundit, Brdariç ka provuar një formacion me tri lëvizje në krahasim me takimin e fundit ndaj Partizanit.

Me Zogoviçin në portë, mbrojtja ka një balotazh në krahun e djathtë për shkak të mungesës së Gurishtës. Abdurrahman Fangaj dhe Arsid Kruja luftojnë për një vend, ndërsa në qendër të këtij reparti konfirmohen të zakonshmit Adili dhe Dianje. Mbrojtjen e plotëson Hakaj në krahun e majtë.

Në mesin e fushës ka vetëm një emër që pritet të jetë nga minuta e parë në vend të Krymit. Bëhet fjalë për boshnjakun Heriç, i cili do të jetë në krah të dyshes Jonuzi-Da Silva. Ndërsa në sulm, në vend të Gjurgjeviçit, pritet që të rikthehet Aralica. Në krahët e ofensivës rikonfirmohen Latifi dhe Ardit Hoxhaj.

TRAJNERI – Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, edhe para sfidës me korçarët nuk duket se e ndal entuziazmin e tij për një fitore ndaj Skënderbeut. “Ne do të punojmë deri në fund për ta përgatitur sa më mirë takimin ndaj Skënderbeut. Edhe në këtë sfidë do të kërkojmë që të bëjmë më të mirën.

Pra, duam fitoren e radhës”, është shprehur shkurtimisht Brdariç, i pyetur për sfidën me Skënderbeun. Kuqeblutë kanë vetëm një objektiv, që të fitojnë tri pikët e radhës në shtëpi dhe t’i afrohen sa më shumë kreut.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL